E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i KESH-it, opozita shtyn votimin

Projektvendimi për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i sistemit të shpërndarjes", OSSH, divizioni pranë KESH-it, u shty dje për në datën 17 mars. Vendimi u mor pas kërkesës së vazhdueshme të opozitës, e cila e quajti të padrejtë faktin e miratimit me procedurë të përshpejtuar të sektorit më problematik në korporatë. Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomisë, deputetit të PS-së, Erjon Braçe, kjo procedurë tregon qartë mungesën e transparencës, pasi nuk mund të votohet brenda një kohe të shkurtër vendimi për privatizimin e 76 për qind të aksioneve OSSH-së, divizioni më i rëndësishëm në KESH. "Të paktën kërkohen dy javë kohë, në mënyrë që projektvendimi të diskutohet në të tria komisionet, atë të Ekonomisë, atë të Veprimtarive Prodhuese dhe në atë të Ligjeve. I të njëjtit mendim ishte edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, i cili aprovoi propozimin e opozitës, ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, kërkoi mirëkuptimin e kolegëve për ta miratuar sa më shpejt, në mënyrë që Kuvendi të mos bëhet pengesë për vonesat në privatizimin e KESH-it. Për ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, i rëndësishëm është fakti i miratimit në kohë të vendimit për privatizimin e 76% të aksioneve të OSSH-së. "Nuk është nevoja të shtyjmë votimin, pasi formula që do të aplikohet për privatizimin është e njohur nga ju. Në komisionet parlamentare do të ishte më mirë të diskutohen udhëzimet e privatizimit, klauzolat, afatet dhe kriteret, në mënyrë që procesi të dalë sa më i suksesshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›