E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Lista e barnave me rimbursim, duhet të ofrojë më shumë

Lista e barnave me rimbursim duhet të ofrojë më shumë për pacientët. Po ashtu, një pjesë e mirë e medikamenteve duhet të ekzaminohen për cilësinë e tyre, në mënyrë të herëpashershme dhe për këtë duhet të thërritet në ndihmë "farmako-vigjilenca". Dje në një mbledhje të komisionit të shëndetësisë është folur pikërisht për mundësinë e analizimit të barnave, që qarkullojnë në tregun shqiptar. "Në një periudhë të gjatë kohore, që nga viti 1994 deri më sot, rritja e numrit të barnave të rimbursueshme që ne i ofrojmë publikut shqiptar është e vogël. Pra ne i ofrojmë qytetarëve një numër të vogël barnash të rimbursueshme, kur realisht duhej të ofrohej shumë më tepër", sqaroi dje, kreu i komisionit të Shëndetësisë. Sipas tij, elementi i parë është domosdoshmërisht rritja e konsiderueshme e numrit të medikamenteve. Kjo duke pasur parasysh që shkenca mjekësore është komplekse, e gjerë aq sa kërkohet zgjerimi i numrit të medikamenteve të rimbursuara. Po ashtu, sipas Shehut, një rëndësi të madhe ka cilësia e medikamentit, sepse shpesh herë rendet pas çmimit të medikamentit dhe lihet mënjanë cilësia, duke çuar kështu në rritjen e kostos së mjekimit. "Nëse të sëmurit i aplikohet një medikament, i cili për një arsye apo tjetrën është me një çmim të ulët në treg, kur nuk ka sasinë e veprimit të vërtetë të medikamentit, atëherë në ciklin e dytë të kurimit ai do të detyrohet të marrë medikamente më të shtrenjta, sepse ai i pari nuk ka dhënë efektin e duhur. Pra, në këtë mënyrë jo vetëm që dëmtojmë shëndetin e njeriut, por rrisim shumë dhe koston e mjekimit", theksoi kreu i komisionit të Shëndetësisë. Nga ana tjetër sipas tij, implementimi i farmako-vigjilencës (procesi që identifikon rreziqet që kanë të bëjnë me përdorimin e produkteve medicinale) është tepër i rëndësishëm. Ai theksoi se mungesa e sektorit të farmako-ekonomisë, zgjeron mundësinë e gabimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›