E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët, pasagjerët e mesnatës

Çdo mbrëmje, pas orës 22:00 kryqëzimi i "21 Dhjetorit", i Zogut të Zi, i Rrugës së Elbasanit, i Saukut, qendra e Tiranës popullohen nga policët, të cilët sapo kanë mbaruar turnin e dytë dhe pas një ditë të lodhshme në shërbim presin ndonjë zemërmirë apo makinë të rastit që t‘i kthejë pranë familjeve të tyre.

Nëse nuk kapin dot autobusin apo furgonin e fundit të linjës këta punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët përballen çdo ditë me krimin, lypin çdo natë një makinë për t‘u kthyer në shtëpi. Shpeshherë detyrohen edhe të paguajnë shërbimin taksi, kur pritja për ndonjë zemërmirë i ka kaluar kufijtë e durimit

Ministria e Brendshme nuk merr përsipër transportin e punonjësve të Policisë së Shtetit pas përfundimit të turnit.

Është në projektet e kësaj ministrie që të vendosen disa autobusë që do të transportojnë punonjësit e Policisë së Shtetit drejt banesave të tyre, por deri më sot, asgjë nuk është bërë. Ministri i Brendshëm, zoti Bujar Nishani, premton se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt. "Unë do kërkoj nga autoritetet e Policisë së Shtetit që të bëjnë një lëvizje më të organizuar të paktën me zona", u premton gazetarëve të "Fiks Fare", ndërkohë që pranon se ka një problem në lidhje me automjetet. Por ministri i Brendshëm deklaroi se janë duke hartuar një plan afatgjatë për pajisjen e mjeteve.

Vetëm në vitin 1997, Ministria e Rendit mori përsipër transportin e punonjësve të policisë, për shkak të rrezikut me të cilin përballeshin uniformat blu në atë periudhë. Më pas askush nuk u kujtua më për policët, megjithëse rreziku ekziston.

Deri më sot nuk ka asnjë akt normativ apo urdhëresë që të detyrojë Ministrinë e Brendshme të marrë masa për transportin e punonjësve të policisë nëpër banesat e tyre mbas përfundimit të punës. Disa vite më parë është bërë një studim për transportin e punonjësve të Policisë së Shtetit, i cili deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Sipas këtij studimi, për transportin e policëve të kryeqytetit drejt banesave të tyre, nevojiten katër autobusë me nga 30 deri në 50 vende secili. Këta autobusë do të mbulonin transportin e efektivave të Policisë së Shtetit në katër akse rrugore: Tiranë-Kërrabë, Tiranë-Vorë, Tiranë-Ndroq dhe Tiranë - Fushë-Krujë.

Gjithashtu, projekti parashikonte edhe shpenzimet për karburantin. Por i gjithë investimi i shtetit nuk do ta kalonte shumën prej 20 milionë lekësh dhe do të zgjidhej një herë e përgjithmonë problemi i transportit të punonjësve të policisë, të paktën për kryeqytetin.

Për dy net me radhë problemin e disa prej këtyre policëve e zgjidhi vullnetarisht emisioni "Fiks Fare", i cili vuri në dispozicion të një grupi policësh që jetonin në Vorë dhe Bathore një furgon pasagjerësh, i cili për 30 minuta i transportoi në shtëpi policët që bënin autostop te kryqëzimi i Zogut të Zi.

Bujar Nishani: Ky është një shqetësim real dhe unë ju falënderoj që e bëni publik këtë shqetësim. Në fakt, ka një vështirësi për mjetet, ne jemi duke hartuar një plan afatgjatë për pajisjen e mjeteve. Padyshim unë do kërkoj nga autoritetet e Policisë së Shtetit që të bëjnë një lëvizje më të organizuar të paktën me zona. Është një shqetësim dhe qëndron dhe padyshim që kërkon vëmendjen tonë. Do e zgjidhim me patjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›