E Diel, 1 Nëntor 2026

Shabani në Shkup: Garantimi i gjuhës shqipe është e drejtë kushtetuese

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Avokati i Popullit, Endrit Shabani, së bashku me homologun e tij të Kosovës, Naim Qelaj, zhvilluan një takim zyrtar në Shkup, me Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, Faton Selami, për të diskutuar mbi protestat e studentëve shqiptarë dhe garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe në arsimin e lartë.

Në cilësinë e Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Organizatës së Avokatëve të Mesdheut (AOM), Shabani apeloi që kërkesat e studentëve të mos trajtohen si një problematikë rutinë administrative.

Ai e vendosi çështjen në kontekstin e saj historik dhe ligjor, si një shtyllë thelbësore të shtetit të së drejtës.

Sipas tij, “marrëveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një instrument për të ndalur një konflikt, por një kontratë e re sociale për të ndërtuar një shtet të përbashkët e pluralist”.

“Njohja e gjuhës është respektim i ekzistencës dhe i së drejtës për t’u përfaqësuar në hapësirë publike. Procedurat administrative dhe vullnetet politike të momenteve nuk mund të mbivendosen mbi të drejtat e fituara dhe të ushtruara prej vitesh. Garantimi i kësaj të drejte është test për stabilitetin rajonal dhe kusht themelor për integrimin europian të shoqërive tona”, tha Shabani.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut, Selami njoftoi se institucioni që ai drejton ka nisur një hetim dhe e ka ngritur çështjen pranë instancave më të larta shtetërore.

Selami u shpreh optimist për një zgjidhje që do t’u mundësojë studentëve shqiptarë dhënien e provimeve në gjuhën amtare.

Po ashtu, ai informoi se po përgatitet një raport mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike.

Në përfundim, të tre krerët e institucioneve u angazhuan për një koordinim të ngushtë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në rajon, duke e vendosur këtë si pjesë të pandashme të vlerave europiane.

1 nga 5

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›