Sherr mes nxënësve jashtë gjimnazit “Ibrahim Rugova”, tre të plagosur me thikë

Një përplasje mes nxënësish është shënuar paraditen e sotme jashtë gjimnazit “Ibrahim Rrugova” në Kamëz.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, raporton se tre të mitur kanë mbetur të plagosur me thikë gjatë konfliktit të ndodhur rreth orës 10:50, pranë bulevardit “Nënë Tereza”.
Në përleshje janë përfshirë disa të rinj të moshës 15-17 vjeç. Nga ngjarja u dëmtuan dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa një tjetër bashkëmoshatar i tyre ka marrë lëndime të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar disa të mitur për t’i marrë në pyetje dhe grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt./vizionplus.tv