Sherr në paraburgim, u vihet zjarri qelive
Të burgosurit u vënë flakën qelive në Komisariatin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e paraburgimit, ndërsa mësohet se çdo gjë ka nisur nga një sherr mes dy të izoluarve, që më tej ka marrë përmasa më të mëdha. Burime të sigurta të policisë kanë thënë se kanë qenë dy persona të arrestuar që kanë pasur një sherr mes tyre. Situata është bërë më e rëndë kur në sherr janë përfshirë edhe të tjerët. Një nga të izoluarit, për shkak të mosndërhyrjes së policëve u ka vënë zjarrin disa rrobave brenda qelisë. Vetëm kur nga dritaret ka nisur të dalë tym, policia ka dhënë alarmin dhe ka njoftuar zjarrfikësit. Nga ana e uniformave blu çdo gjë është mbajtur e fshehtë, ndërsa nuk jepen shkaqet që kanë çuar në rebelimin e të burgosurve. Situata e rëndë që është krijuar ka kërkuar edhe ndërhyrjen e forcave të rendit, që kanë rrethuar ambientet përreth komisariatit. Këto masa janë marrë ndërsa një mjet zjarrfikës ka shkuar në vendngjarje për të fikur zjarrin. Policia i është trembur një zjarrëvënieje të qëllimshme nga të burgosurit, që mund të krijonte kushtet për arratisjen e ndonjërit prej tyre. Kjo ka bërë që forca të shumta policore të rrethojnë komisariatin. Nga ana tjetër, mjeti zjarrfikës ka mundur të shuajë flakët brenda pak minutave dhe kjo pasi është vënë alarmi nga ana e uniformave blu, se zjarri mund të përhapej më edhe në ambientet e tjera. Sipas burimeve policore, zjarri është vënë qëllimisht. Sipas policisë, dyshohet se të burgosurit kanë rënë dakord që t‘i vënë zjarrin qelisë. Por ende nuk dihen arsyet e sakta përse ata kanë arritur në këtë veprim.