E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti, vdes një i ri dhe plagoset një tjetër

Dy persona që udhëtonin me motoçikletë drejt qytetit të Cërrikut, janë përplasur me një makinë në dalje të qytetit të Elbasanit, ku njëri prej tyre ka mbetur i vdekur në vend dhe tjetri ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të së djeshmes, në lagjen "Çamëria", në dalje të urës së Shkumbinit, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik. Një makinë e tipit "Benz-190", me targa GR1106B, i drejtuar nga 67-vjeçari Behxhet Guzi, ka qenë duke ardhur për në Elbasan, kur përballë saj, në kah të kundërt, është përplasur një motoçikletë pa targa, mbi të cilin udhëtonin dy të rinj. Sipas burimeve të policisë së qarkullimit rrugor, Daut Gjorga, 24 vjeç, nga fshati Shmil i Komunës së Labinotit-Mal të rrethit të Elbasanit, ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe 25-vjeçari Hysni Musta ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit. Sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor, motoçikleta ka humbur drejtimin e rrugës dhe për pasojë është përplasur me veturën. Sidoqoftë, nga policia është ndaluar drejtuesi i mjetit, i cili është nga rrethi i Gramshit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›