E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, më shumë shpenzime sesa italianët për festat

Për dhuratat e Krishtlindjeve dhe ato të Vitit të Ri, të huajt që jetojnë në Itali shpenzojnë më shumë sesa vendasit. Emigrantët e përdorin një pjesë të madhe "të pagës së 13-të" për dhurata. Por nuk harrojnë që të ruajnë një tjetër pjesë për të shlyer faturat. Prindërit, apo të afërmit në atdhe janë një tjetër sensibilitet që nuk mund të mbetet pas, gjatë festave për ta. Këto janë edhe përfundimet në të cilat ka mbërritur një studim i fundit në vendin fqinj, "Përdorime dhe konsume të italianëve dhe emigrantëve me rastin e festave". Specialisti i emigracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, në referim të materialeve zyrtare shprehet se organizatorët kanë marrë një kampion përfaqësuesish italianë dhe emigrantë të shtatë bashkësive më të mëdha numerikisht në territorin italian. Ai shpjegon se emigrantët e intervistuar kanë qenë shqiptarë, marokenë, rumunë, kinezë, ukrainas, filipinas dhe tunizianë.

Për Vitin e Ri, ashtu si dhe në Krishtlindje, shtëpia është vlerësuar prej tyre si vendi i parë i parapëlqyer për festimet. Shpenzimet mesatare të parashikuara për festën e Vitit të Ri gjithashtu janë më të larta sesa ato për Krishtlindje. Dhe janë pikërisht këto shpenzime të larta të emigrantëve në Itali, të cilat lënë pas edhe vetë italianët. Sipas studimit të kryer, rezulton se të huajt në Itali për Vitin e Ri do të shpenzojnë, mesatarisht 93 euro për frymë. Ndërsa italianët parashikojnë një shpenzim prej vetëm 53 euro për frymë. Ndërsa gjatë Krishtlindjeve emigrantët shpenzuan 83 euro për person, krahasuar me 44 euro të italianëve. Karakteristikë e Vitit të Ri, krahasuar me Krishtlindjet është përqindja më e madhe e personave të pavendosur për mënyrën se si do ta festojnë Vitin e Ri me pushime jashtë Italisë apo në restorante. Në studim arrihet në përfundimin se "një pjesë e përgjigjeve dhe disa ndryshime mes dy kampionëve, emigrantëve dhe italianëve, shpjegohet nën "veshjen" e një lloj efekti dhe dëshire sociale, që është më e theksuar te të huajt, pra në kampionin e emigrantëve. Ky efekt i shtyn të intervistuarit që përmes deklaratave të tyre, të shprehin qëndrimet dhe sjelljet, të cilat konsiderohen si më të vlerësuara nga opinioni publik italian. Fjala është për një sinjal nga ana e emigrantëve për dëshirën e tyre të fortë, për t‘u integruar plotësisht në realitetin shoqëror, ku jetojnë aktualisht, konstatojnë organizatorët e studimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›