Shoqërohet në polici kreu i lëvizjes studentore
Policia e Vlorës shoqëron kreun e lëvizjes studentore, Eneid Hamzaj. Studenti i përfshirë në protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës është ndaluar së bashku me tre shokë të tij tek ish-kampi i pionierëve, afër pyllit të Sodës, ndërsa ishte duke shkuar për të ndërruar turnin në barrikadën që vazhdon të mbajë të bllokuar prej tri ditësh rrugën kryesore që të shpie te kantieri i "Petrolifierës". Në këtë mënyrë, policia e Vlorës intensifikon presionet ndaj protestuesve dhe drejtuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, për të bërë të mundur që këta të fundit të lirojnë rrugën e bllokuar. Përveç Eneid Hamzajt, kreut të lëvizjes studentore të Vlorës, janë shoqëruar për në komisariatin e policisë studentët Bruno Bollogati, Enerald Malaj e Endri Ibrahimi, ndërsa është lënë i lirë Febi Shkurti, shoferi i makinës që po çonte studentët te vendi ku është bllokuar rruga. Pas shoqërimit në polici të premten në mbrëmje të nënkryetares së AMGJ, Drita Aga, ndërhyrja e djeshme është e dyta që ndërmerr policia e Vorës pas intensifikimit të protestave. Nga ana tjetër, aleancistët janë të vendosur të vazhdojnë bllokimin e rrugës deri në realizimin e referendumit lokal. Menjëherë pas lirimit, studentët janë shoqëruar nga të tjerë shokë që i prisnin jashtë dyerve të policisë së Vlorës dhe i janë drejtuar sërish barrikadës pranë pyllit të Sodës. Atje, të gjithë studentët janë pritur nga protestuesit dhe drejtues të AMGJ-së me fishekzjarrë dhe me buri makinash. Simbolika e festës së Vitit të Ri ka qenë e pranishme edhe në barrikadën me goma makinash që kanë ngritur aktivistët e AMGJ-së, ku është vendosur një pemë e vitit të ri dhe zbukurime të tjera festive. Aleancistët janë të vendosur që ta vazhdojnë protestën dhe bllokimin e rrugës deri në plotësimin e kërkesës së tyre për referendum dhe kanë planifikuar ta kalojnë në rrugë edhe natën e ndërrimit të viteve. Duke përfituar nga prania e medias, krerët e aleancës u kanë bërë thirrje qytetarëve të Vlorës që nesër, më 31 dhjetor, të mblidhen pranë barrikadës së tyre.