Shpërthimi dyshohet se u shkaktua nga rrjedhja e gazit në banesën e tij, ky është 69-vjeçari që mbeti viktimë e tragjedisë në pallatin në Elbasan
Ky është 69-vjeçari Hamit Ibro, që mbeti viktimë e shpërthimit të fuqishëm në pallatin në Elbasan, ngjarje e shënuar mesditën e së mërkurës.

Policia tha në njoftim se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit. Trupi i tij i pajetë u gjet pas mesnatës pas orës kërkimesh nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Ngjarja e rëndë i mori jetën dy banorëve të pallatit, Hamit Ibro, 69 vjeç, dhe Hatixhe Berishës, 82 vjeçe. Ndërkohë, disa banorë të tjerë mbetën të asfiksuar si pasojë e tymit të shkaktuar nga shpërthimi dhe zjarri.
Nga shpërthimi, dëmtimet më të rënda u regjistruan në katet e sipërme të pallatit, ku një pjesë e strukturës së katit të katërt u shemb, duke rënë mbi katin e tretë.
Fuqia e shpërthimit shkaktoi gjithashtu dëmtime të shumta në muret ndarëse, apartamentet përreth dhe elementë të tjerë të ndërtesës.
