Shpërthimi i bombolës së gazit në Tiranë, eksperti zbulon si veprohet në rast rrjedhje, rregullat që duhen ndjekur

Pas shpërthimit të bombolës së gazit një ditë më parë në Tiranë, ku mbetën të plagosur dy persona, njohësi i rregullave dhe pajisjeve të gazit, Astrit Resnja në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Mirëmëngjes Shqipëri” deklaroi se shumë prej shpërthimeve vijnë si pasojë e pakujdesive.
Ai sqaroi se gazi lëshon aromë dhe nëse konstatohet një rrjedhje e tij, duhet reaguar menjëherë duke mbyllur rubinetin e bombolës së gazit dhe ajrosur ambientin. Ai theksoi se në mënyrë kategorike nuk duhet shtypur çelësi për të ndezur dritën, pasi në rastet ku ka pasur rrjedhje gazi, ky veprim do të sinjalizonte shkëndijë elektrike të menjëhershme.
Po ashtu, Resnja sugjeroi qytetarët që të mbajnë në banesat e tyre një sterilizues i cili sinjalizon rrjedhjen e gazit.
“Në familje, të gjithë kemi bombola gazi, të kenë një rregullator, një sterilizues që sinjalizon rrjedhjen e gazit.
Gazi ka veti që rri poshtë. Nëse nuk jeni në shtëpi, dhe keni pasur rrjedhje gazi, një ndezje drite krijon eksplozion. Sidomos kur është ambienti i mbyllur.
Gazi krijon aromë. Nëse ka rrjedhje, ndihet aroma. Nëse konstaton se ka rrjedhje gazi, mbyllni rubinetin e bombolës dhe ajrosni menjëherë ambientin dhe më pas thërrisni specialistin për të gjetur shkakun e rrjedhjes.
Mos ndizni dritën pasi stimulon shkëndija elektrike”, deklaroi Resnja.
Ditën e djeshme një shpërthim bombole gazi u regjistrua pranë një biznesi te “Rruga e Kavajës” në kryeqytet, në ambientet e brendshme të një picerie jofunksionale, ku mbetën të plagosur pronari i biznesit dhe punonjësi.
Bombolat e gazit ndodheshin të instaluar në katin -1, ndërsa kanë qenë të lidhura me katin sipër përmes tubave. Pronari dhe punonjësi teksa janë futur brenda ambienteve të biznesit, nuk kanë kuptuar aromën e gazit dhe kanë vijuar me punën. Ka qenë një shkëndijë që ka nxitur shpërthimin, i cili la të plagosur 40-vjeçarin dhe 28-vjeçarin.
/rtsh.al/