E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëri: Negociatat përparojnë, kontrolli i pushtetit çalon

Progres-raporti i publikuar nga Komisioni i BE-së këtë të mërkurë (04.11.2026), evidenton për Shqipërinë kufizimet e mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë, moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, korrupsionin dhe problemet me konkurrencën zgjedhore.


Katër kapituj të mbyllur, reformat në fokus

Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj negociatash, pas përmbushjes së kritereve të ndërmjetme në grupkapitullin ‘Themeloret'. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi këtë një etapë të rëndësishme në rrugën drejt BE-së. "Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian” - deklaroi ajo gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit 2026 në Parlamentin Evropian.

Synimin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, Kos e quajti "ambicioz, por të arritshëm”. Megjithatë, ky objektiv kërkon sipas saj vijimin e reformave, veçanërisht në fushat që lidhen me shtetin e së drejtës. "Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore” - theksoi komisionerja.


Kontrolli i pushtetit, pika e dobët


Emërimet në institucionet e pavarura, që kanë për detyrë të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të mbikqyrin veprimtarinë e autoriteteve publike, mbeten të politizuara, sipas Komisionit Evropian. Raporti sjell si shembull zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vetëm me votat e shumicës parlamentare, pa konsensus me opozitën.

"Parlamenti i ushtron kompetencat e tij, përfshirë kontrollin mbi ekzekutivin, në mënyrë pjesërisht efektive”, konstaton Komisioni, duke përmendur refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për komisione hetimore dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni ndalet edhe te refuzimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas vonesave të gjata në shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut. Ky vendim, sipas raportit, ngre shqetësime për "kontrollin dhe balancën mes pushteteve dhe parimin e barazisë përpara ligjit”.

Kritikat shtrihen edhe te reforma territoriale, e miratuar në tetor vetëm me votat e mazhorancës socialiste. Ajo ndryshoi hartën administrative të vendit, duke ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. "Reforma territoriale dhe administrative në vijim, e shoqëruar me një prirje drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për pushtetin lokal”, konstaton raporti i Komisionit Evropian.

Zgjedhjet dhe protestat, prova e radhës


Presidenti Bajram Begaj dekretoi 9 majin 2027 si datën e zgjedhjeve vendore. Por gjashtë muaj përpara votimit, Komisioni Evropian kërkon një reformë zgjedhore "urgjentisht të nevojshme”. Raporti evidenton rekomandimet ende të pazbatuara të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, veçanërisht për përdorimin e burimeve shtetërore dhe garantimin e konkurrencës së barabartë zgjedhore.

Mungesa e dialogut është një tjetër shqetësim i Komisionit, edhe në raport me protestat qytetare. Ato nisën në maj kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartëdhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie dhe kundër korrupsionit. Komisioni i cilëson protestat "mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë”, me dhjetra mijëra pjesëmarrës në kulmin e tyre.

Raporti përmend edhe incidentet e dhunshme mes protestuesve studentë dhe Policisë së Shtetit gjatë protestave të tetorit. "Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t'u angazhuar në një dialog konstruktiv” - thekson Komisioni Evropian.
Rama dhe opozita, interpretime të kundërta për raportin

Kryeministri Edi Rama e cilësoi progres-raportin si vlerësimin më të lartë që Shqipëria ka marrë deri tani nga Komisioni Evropian. "Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane” -  shkroi ai në rrjetet sociale, duke pranuar se detyrat e mbetura janë ende të shumta dhe afatet e negociatave po ngushtohen.

Ndryshe e interpretoi raportin Partia Demokratike. Kreu i grupit të saj parlamentar, Gazment Bardhi, e quajti atë "raportin më të zi” ndër vite, duke iu referuar gjetjeve të Komisionit Evropian. Bardhi kërkoi largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›