Shqipëria në ECSC 2025, nis përzgjedhja e ekipit kombëtar për sigurinë kibernetike

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Sot nisi zyrtarisht faza e parë e rrugëtimit për përzgjedhjen e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në garën prestigjioze European Cybersecurity Challenge (ECSC) 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme në nivel europian për sigurinë kibernetike.
Agjencia Kombëtare për Siguri Kibernetike (AKSK) mirëpriti në ambientet e saj studentë dhe të rinj të apasionuar pas teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, të cilët hodhën hapat e parë drejt përfaqësimit të Shqipërisë në këtë konkurrim ndërkombëtar.
Gjatë kësaj faze, pjesëmarrësit do të përballen me një sërë sfidash teknike, që synojnë të testojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fusha si kriptografia, analizat forenzike, pen-testimi dhe menaxhimi i incidenteve kibernetike.
Nga të gjithë aplikantët dhe pjesëmarrësit, vetëm 10 më të mirët do të përzgjidhen për të formuar ekipin kombëtar shqiptar, i cili do të përfaqësojë vendin në mesin e mbi 40 shteteve pjesëmarrëse në edicionin e sivjetshëm të ECSC.
“Kjo nismë nuk është vetëm një garë, por një investim në të ardhmen e sigurisë digjitale të vendit. Të rinjtë shqiptarë kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe kjo është një mundësi për ta treguar atë në skenën europiane”, njoftoi AKSK.
Kjo është një mundësi unike për të rinjtë për të nxitur kreativitetin, punën në ekip dhe për të forcuar më tej aftësitë e tyre teknike në një fushë që ka rëndësi jetike për zhvillimin e sigurt digjital të shoqërisë.
AKSK i uron suksese të gjithë pjesëmarrësve në këtë rrugëtim të rëndësishëm dhe inkurajon përfshirjen aktive të të rinjve në fushën e sigurisë kibernetike.
1 nga 4/r.e//a.f/