E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria ushqimore, Salla: ISUV, garantohen analiza laboratorike sipas standardeve ndërkombëtare

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, publikoi në rrjetet sociale pamje nga sektori i kontrollit mikrobiologjik të ushqimeve në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku përmes analizave laboratorike garantohet cilësia dhe siguria e produkteve që mbërrijnë çdo ditë në tryezat e qytetarëve.

“Testet e kryera në ISUV, të akredituara sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017 dhe në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian,” tha ministri, teksa vuri në dukje se “këto analiza kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve”.

Enis Maçi, përgjegjës i kontrollit mikrobiologjik, bëri të ditur se sot në ISUV, është pranuar një kampion për analizë për salmonele.

Sipas tij, faza e parë e procesit ka përfshirë vendosjen e mostrës në inkubator, ndërsa fazat e tjera të analizës do të zhvillohen më pas. Analiza zgjat 5 deri në 7 ditë, pas të cilave hartohet raporti i punës dhe ngarkohet në sistemin zyrtar.

Ky laborator është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar siguri dhe cilësi në ushqimet e konsumatorëve, duke u bazuar në standarde ndërkombëtare dhe praktika të njohura të BE-së.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›