“Sinners” triumfon në Actor Awards, Amy Madigan vlerësohet për rolin dytësor

Los ANGELES, 2 mars/ATSH/ – Një nga netët më prestigjioze të Hollywood-it, Actor Awards 2026, u zhvillua në Shrine Auditorium & Expo Hall në Los Angeles, duke mbledhur emrat më të njohur të filmit dhe televizionit. Ceremonia, e njohur më parë si SAG Awards, u drejtua për të dytin vit radhazi nga Kristen Bell, në kthimin e saj të tretë si prezantuese.
Gjatë mbrëmjes, Harrison Ford u nderua me çmimin Lifetime Achievement Award, në vlerësim të kontributit të tij shtatëdekadësh dhe “pranisë së tij të pazëvendësueshme në jetën amerikane”.
Në kategoritë filmike, One Battle After Another hyri në garë si pretendenti kryesor me shtatë nominime, i ndjekur nga Sinners me pesë. Filmi horror me vampirë Sinners, i vendosur në vitet ’30, rezultoi fituesi më i madh i natës, duke marrë çmimin Best Ensemble, ndërsa Michael B. Jordan u vlerësua me Best Actor, një fitore që pritet të ndikojë drejtpërdrejt garën për Oscarët e 15 marsit.
Aktorja veterane Amy Madigan u shpall Best Supporting Actress për rolin e saj në filmin Weapons, duke forcuar pozitën e saj në sezonin e çmimeve.
Mbrëmja përfshiu edhe një garë të fortë në kategoritë e aktrimit, ku ndër pretendentët për trofeun Actor ishin Timothée Chalamet (Marty Supreme), Jessie Buckley (Hamnet), Sean Penn (One Battle After Another) dhe vetë Amy Madigan për Weapons.
Në seksionin televiziv kryesuan nominimet The Studio e Apple TV+ me pesë, ndërsa Adolescence e Netflix dhe The White Lotus e HBO morën nga katër nominime secila.
Ceremonia, si gjithmonë, konsiderohet një prej treguesve më të rëndësishëm për fituesit e mundshëm të Academy Awards, pasi vlerësimet jepen nga vetë komuniteti i aktorëve.