Zgjedhja e presidentit, Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga qëndrimet bllokuese

PRISHTINË, 2 mars/ATSH/ Pa u zyrtarizuar kandidatët për president nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha se deri tani nuk ka asnjë kandidat me tridhjetë nënshkrime të deputetëve.
Ajo, derisa u pyet se a do ta mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë, tha se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së një ditë më parë ka pasur diskutime për presidentin, por nuk janë përmendur emra.
“Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë të cilët i kanë tridhjetë nënshkrime. Kërkohet që të jenë dy kandidatë, por lejohen edhe tre apo katër kandidatë. Siç e dini, Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë dhe secili kandidat duhet të ketë tridhjetë nënshkrime, por një deputet nuk mund të japë nënshkrimin për dy kandidatë, por vetëm për një”, tha ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit të partive parlamentare për ta zgjedhur presidentin. Ndërkaq, e pyetur për qëndrimin e PDK-së se kandidati për president duhet të vijë nga radhët e tyre, ajo tha se qëndrimet që bllokojnë nuk janë të mirëseardhura.
Sipas saj, futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike, por edhe institucionale.
Krahas kësaj, Haxhiu tha se deri tani në LVV, e cila ka pushtetin dhe shumicën parlamentare në Kuvend, nuk janë përmendur emra të përveçëm që mund t’i përkrahin për president.
Në anën tjetër, Haxhiu bëri thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe aktgjykimet e institucionit më të lartë juridik në vend, ku sipas saj theksohet nevoja që deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për presidentin.
Haxhiu mohoi edhe mundësinë që ajo të jetë kandidate për presidente.
Krahas këtyre, Haxhiu tha se Kryesia vendosi që të premten të mbahet seancë solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. /KosovaPress/