E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’ka akuza për korrupsion e as për pengim të drejtësisë”/ Manja: Kundër kërkesës së SPAK për Ballukun

Ulsi Manja, si anëtar i këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve nga mazhoranca, ka lexuar sot në sallën e Kuvendit raportin e hartuar nga PS për kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Që në nisje të fjalës së tij, Manja e riktheksoi vendimin për të mos dhënë autorizimin e kërkuar nga SPAK për një masë më shtrënguese ndaj ish zv.kryeministres.

“Në kërkesën e SPAK-ut s’ka akuza as për korrupsion e as për pengim të drejtësisë nga ana e deputetes”, u shpreh Manja.

“Në këtë sallë, kjo është kërkesa e 7-të që vjen në këtë Kuvend për autorizim arresti, që prej se jam në Parlament. Nuk kam dëgjuar në këtë sallë raport më të detajuar në analizën e provave, rrethanave, se sa sot. Gjë e cila bie ndesh me nenin 73 të Kushtetutës dhe nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale. Këtë raport nuk e kam dëgjuar as në 21 dhjetor 2023, kur këtu kishim kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrest për një tjetër anëtar të Parlamentit, me një ndryshim, atëherë pakica sugjeronte rrëzimin e kërkesës, me argumentin se nuk plotësohen kërkesat.

Unë do i qëndroj besnik nenit 73 të Kushtetutës dhe atij 288 të Kodit, në emër të anëtarëve të shumicës në këtë Këshill, në momentin që paraqitëm raportin tonë, ka ndodhur një realitet i ri faktik dhe institucional, juridik, i cili e ndryshon natyrën e vlerësimit të SPAK-ut”, vijoi ai.

Duke thënë se ky prezantim është përtej formalitetit, shtoi se është përgjegjësi ndaj qytetarëve shqiptarë që i kanë besuar mazhorancës drejtimin e vendit.

“Një çështje që duhet të mbetet e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë është kthyer në një debat të padrejtë”, u shpreh aManja, teksa përsëriti disa nga qëndrimet e mbajtura edhe në mbledhjen e grupit parlamentar në nisje të kësaj jave.

Duke u futur në kontekstin e çështjes, tha se nuk ka asnjë ndryshim rrethane për Ballukun që nga nisja e hetimeve. “Ka respektuar plotësisht masën e sigurimit”, theksoi Manja.

Partia Socialiste është kundër arrestimit të Ballukut, me argumentin se tashmë nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg.

Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›