Skema Kombëtare e Investimeve, fermeri nga Kavaja rrit rendimentin përmes mekanizimit

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Skema Kombëtare e Investimeve është një mbështetje konkrete për fermerët që duan të investojnë në modernizimin e aktiviteteve bujqësore.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se me mbështetjen e Skemës Kombëtare të Investimeve nga AZHBR, ka investuar në makineri bujqësore dhe agregate ndihmëse që përshpejtojnë proceset e punës në fermë, duke rritur efikasitetin dhe rendimentin e prodhimit.
AZHBR ndau në rrjete sociale historinë e Nazim Kanaparit, nga fshati Kanaparaj, i Kavajës që është i angazhuar në bujqësi prej 12 vitesh dhe falë mbështetjes nga Skema e Investimeve ka blerë një traktor dhe agregatë të nevojshëm për punën në fermë.
“Unë jam kthyer nga emigracioni, ku kam punuar në bujqësi dhe që prej vitit 2013 jam kthyer në vendlindje dhe punoj në tokën time. Kam aplikuar në Skemën e Investimeve dhe jam shpallur përfitues për mekanikë bujqësore”, u shpreh Nazimi, ndërsa tregon se është përfitues edhe në skemën e subvecioneve për naftën pa taksa dhe për masën në blegtori.
“Mbështetja financiare përmes AZHBR-së më ka ndihmuar të rrisë rendimentin e prodhimit përmes punimeve të mekanizuara, ndërsa kam përfituar uljen e kostove dhe cilësi më të lartë prodhimi”, tha ai. /j.p/