Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, rritje me 3,3% në 5 muajt e parë 2025
TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti arritën në shumën 28,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 899 milionë lekësh, ose 3,3%, krahasuar me periudhën janar–maj të vitit 2024.
Ky rezultat reflekton një përmirësim të përgjithshëm të performancës ekonomike dhe administrimit fiskal në vend. Rritja e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin lidhet kryesisht me përmirësimin e fitimit të kompanive, si pasojë e rritjes së konsumit të brendshëm dhe zgjerimit të aktivitetit në sektorë kyç të ekonomisë si ndërtimi, turizmi dhe shërbimet. Gjithashtu, kontribuoi edhe reduktimi i evazionit fiskal dhe përfshirja më e madhe e bizneseve në sistemin formal.
Për vitin 2025, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin koorporativ programohen të arrijnë në rreth 65,7 miliardë lekë, ose 6 miliardë lekë më shumë, që përkthehet në një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2024.
Në fokus për vitin 2025 është forcimi i kontrollit të deklaratave tatimore bazuar në analizën e rrezikut, si dhe krijimi i sistemeve që synojnë të dekurajojnë ose bllokojnë shmangiet tatimore. /j.p/