IKMT nis heqjen e ndërtimeve të paligjshme në Orikum

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vijon në të gjithë vendin aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, ku shkeljet e ligjit dëmtojnë mjedisin dhe aksesin e qytetarëve në pronat publike.
Aktualisht, strukturat e IKMT po ndërhyjnë në qytetin bregdetar të Orikumit, ku janë identifikuar një sërë ndërtimesh të paligjshme në trotuare, ambiente publike dhe afër vijës bregdetare.
Aksioni synon çlirimin e hapësirave publike, rivendosjen e rendit ligjor në territor, si dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe mjedisit natyror.
IKMT shprehu vendosmërinë për të goditur çdo akt paligjshmërie që dëmton komunitetin dhe peizazhin e çmuar bregdetar të Shqipërisë, pasi hapësirat publike janë të qytetarëve dhe do të rikthehen aty ku u përkasin.
Ky aksion është pjesë e një fushate të gjerë në shkallë kombëtare për çlirimin e territorit nga zaptimet dhe ndërtimet e paligjshme, që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, cenojnë turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave.
IKMT nënvizon se të gjitha ndërtimet pa leje do të trajtohen pa asnjë tolerim, pavarësisht pronarit apo qëllimit të përdorimit të tyre, duke riafirmuar përkushtimin për mbrojtjen e ligjshmërisë, mjedisit dhe të drejtës së qytetarëve për hapësira të përbashkëta funksionale dhe të sigurta. e.xh/j.p/