E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Nga rrugët te energjia, sektorët me interes për investitorët e huaj në Shqipëri

TIRANË, 23 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, ndërsa prezantoi disa prej fushave me interes për investimet e huaja.

I pranishëm në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që po zhvillon punimet në Vjenë me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga mbi 25 vende të botës, Rama veçoi investimet në infrastrukturën rrugore.

“Ne po bëjmë disa punë të mëdha, disa vepra të mëdha në infrastrukturën rrugore të cilat lidhen me interesin dhe kapacitetin e sektorit privat që të përfshihet dhe të mbështetet tek rrugët me pagesë. Ideja është që për momentin po hartojmë dhe po zhvillojmë një sërë projektesh të tjera”, tha Rama.

Sipas tij, “mund të jetë me interes që investitorët e huaj t’i eksplorojnë këto mundësi”.

“Ne jemi të pozicionuar në një vend ku trafiku nuk është vetëm brenda vendit apo në hyrje drejt vendit, por edhe në kufirin përtej vendit. Kjo është situata. Me lëvizshmërinë e madhe dhe me rritjen e turizmit, parashikimet tona janë të jashtëzakonshme në përgjithësi se si do të rritet turizmi europian, do të ketë shumë lëvizshmëri dhe rrugët do të jenë një pjesë thelbësore e kësaj”, shtoi Rama.

Hekurudhat janë një tjetër aspekt i infrastrukturës, ku sipas kryeministrit Rama, investitorët e huaj mund të shohin mundësinë për të investuar edhe pse sipas tij, “ato janë një sektor më i ndërlikuar për kompanitë private që të përfshihen”.

“Pastaj kemi sigurisht energjinë. Ne kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për investime private. Në momentin që këto thirrje shpallen jeni më se të mirëpritur të aplikoni. Janë shumë transparente në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare, deri tani kanë qenë të një cilësie shumë të mirë dhe nuk ka pasur asnjë ankesë”, shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›