Spiropali: Drejtësia në Hagë për ish-krerët e UÇK-së të jetë e paanshme

TIRANË, 25 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Prishtina se “drejtësia në Hagë të jetë e paanshme në gjykimin për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, Spiropali theksoi se Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv.
“Proceset në Dhomat e Specializuara janë në një moment të rëndësishëm. Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik”, tha ajo.
Spiropali theksoi se lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet.
“Ishte një luftë për mbijetesë dhe për liri, pas një periudhe të gjatë represioni dhe terrori sistematik ndaj popullsisë civile. Kjo është edhe arsyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i NATO-s ndërhynë në Kosovë, për të shmangur një katastrofë të re humanitare, me përmasa tej tragjikes, në zemër të Europës. Prandaj, çdo proces që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin, për disproporcionin e forcës dhe për realitetin e krimeve ndaj popullsisë civile”, theksoi ajo.
Kryediplomatja shqiptare theksoi se sot, në Hagë, përballen me drejtësinë ish- udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata janë figura që përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor. Por kemi detyrimin moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, jo drejtësi e pjesshme. Ajo nuk mund të shkëputet nga konteksti i një lufte çlirimtare. Nuk mund të injorojë faktin se në Kosovë ka pasur agresion shtetëror, spastrim etnik dhe krime masive ndaj popullsisë civile shqiptare”, tha Spiropali.
Sipas saj, “asnjë proces gjyqësor nuk duhet të krijojë perceptimin se historia po rishkruhet në mënyrë të pabalancuar”.
“Asnjë proces nuk duhet të lërë hapësirë për idenë se rezistenca e një populli për liri vendoset në të njëjtin plan moral me politikën e represionit që e parapriu atë. Kosova si shtet nuk është në gjyq. Lufta e saj për liri nuk është në gjyq. E vërteta historike nuk është në gjyq. Ne kërkojmë drejtësi. Por kërkojmë drejtësi që e sheh të plotë panoramën, që njeh disproporcionin e forcës, që njeh kontekstin, që njeh sakrificën dhe që nuk lejon relativizimin e viktimës. Ky nuk është presion. Kjo është përgjegjësi ndaj historisë”, deklaroi Spiropali.
Spiropali tha se “integrimi euroatlantik i Kosovës është element kyç i sigurisë rajonale.”
“Prania e NATO-s dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë të pazëvendësueshëm stabiliteti. Në një Evropë të trazuar nga lufta dhe tensionet gjeopolitike, siguria nuk është e garantuar. Ajo kërkon vigjilencë, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm. Siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë. Siguria e Kosovës është siguria e vetë Shqipërisë. Kjo nuk është figurë retorike. Është vlerësim strategjik. Mbajtja e Samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë duhet të jetë edhe një mundësi e shkëlqyer për afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike”, shtoi ajo.
Ministrja e Jashtme nënvizoi bashkëpunimin për ndërlidhjen ekonomike, infrastrukturore dhe atë energjetike, duke veçuar angazhimin për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Prishtinë.
“Ndërlidhja ekonomike mes dy vendeve tona është arkitekturë e së ardhmes sonë të përbashkët. Në planin ekonomik, në vitin 2025, vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tona tejkaloi 500 milionë euro. Ambicia është të rritet edhe më tej, pse jo të dyfishohet deri në fund të vitit. Realiteti i një tregu të përbashkët ndërshqiptar është gjithmonë edhe më i prekshëm dhe duhet të bëhet edhe më funksional”, tha Spiropali.
Për këtë arsye, ajo theksoi se duhet të mbështesim këtë moment pozitiv duke përmirësuar më tej lidhjet tona infrastrukturore dhe energjetike.
“Siç ishte dje e një rëndësie patriotike, strategjike dhe historike arteria rrugore që lidh Tiranën dhe Prishtinën, është sot e së njëjtës rëndësi, ndërtimi i hekurudhës Durrës–Prishtinë. Si dhe të gjithë projektet energjetike, korridoret e transportit dhe portet e përbashkëta që duhet të na lidhin edhe më fort, duke e bërë hapësirën tonë ekonomike më të integruar dhe më të qëndrueshme. Do të punojmë për përgatitjen e takimit të radhës ndërqeveritar G2G dhe për riaktivizimin e Sekretariatit Koordinues, si mekanizëm real ndjekjeje dhe përshpejtimi të vendosjes në jetë të projekteve të dyanshme”, shtoi Spiropali.
/a.f/