Berisha: Eksperienca qeverisëse më lejon të parashikoj me vërtetësi realizimin e programit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se eksperienca qeverisëse e lejon të parashikojë me vërtetësi të madhe, realizimin e programit të paraqitur nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore për zgjedhjet e 11 majit.
Në një konferencë për mediet Berisha tha se në fushatë po paraqet një program para shqiptarëve me terma konkretë.
“Eksperienca ime më lejon mua, realizimin me shpejtësi të këtij programi. 100 ditët e para do të jenë 100 ditët e transformimit të Shqipërisë. Pa ketë eksperiencë të garantoj se nuk do mund të premtoja. Eksperienca ime ka trashëgiminë e vet. Pra në qoftë se them, do vendos minimumin jetik 200 euro dhe do i kthej paratë qytetarëve, unë e kam bërë më parë, kam dyfishuar rrogat e të gjithë administratës dhe kam dyfishuar pensionet minimale, kam rritur me 60% pensionet mesatare, kam rritur me 40% pensionet maksimale”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se “në vitin 2013 kur bëmë studimin dhe dolën 15 mijë familje shqiptare në varfëri ekstreme, u mor një vendim i prerë që do nxirreshin nga varfëria ekstreme”.
“Për të dalë në mënyrë eficiente, transparente u bë digjitalizimi i shërbimeve. Nuk fitova zgjedhjet, por sot ata janë 5-fishuar më shumë, shumë më tepër se kanë rënë në këtë kategori dhe pensionistët, këtu është problemi, nuk janë vetëm familjet”, vijoi Berisha.
Sipas tij, në atë kohë pensionistët nuk ishin këtë kategori, ishin standard tjetër.
“Tani me minimumin jetik në transformojmë, ne zhdukim varfërinë ekstreme”, shtoi Berisha.
Më tej, Berisha tha se “rikthimi im, nuk ka absolutisht në bazë, ambicie për karrige, para dhe luks. Nuk del njeri të thotë se, unë këto i kam pasur edhe në moshë tjetër, edhe në rini. Tani aspak. Çfarë më mbetet mua nga mosha tani? Më mbetet eksperienca e çmuar. Eksperienca më lejon mua të jem i sinqertë të vendos me shpejtësi, modelin me të cilin unë do e realizoj këtë”.
“Sot, nuk e kam paraqitur moshën si privilegj, por u detyrova të bëj ca shpjegime. Kjo është historia e moshës time”, tha Berisha.
/k.s/j.p/