E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Suki Waterhouse thyen heshtjen për thashethemet mbi martesën me Robert Pattinson: Do të organizojmë një festë të madhe nëse…

Suki Waterhouse ka hedhur poshtë thashethemet për një martesë të fshehtë me aktorin Robert Pattinson, duke bërë të qartë se çifti nuk ka kurorëzuar ende dashurinë e tyre. Aktorja zbuloi se, nëse vendosin të martohen, dëshirojnë ta festojnë këtë moment me një ceremoni të madhe dhe jo në mënyrë të fshehtë.

Capture

Në një intervistë për gazetën The Sunday Times, të publikuar më 1 nëntor, Waterhouse foli për marrëdhënien e saj me Pattinson dhe planet e tyre për të ardhmen. Spekulimet për një martesë të mundshme kanë qarkulluar prej kohësh, veçanërisht pas lindjes së vajzës së tyre në mars të vitit 2024. Megjithatë, aktorja konfirmoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë ceremoni martesore.

“Ne ose do ta bënim siç duhet, ose nuk do ta bënim fare”, u shpreh ajo, duke iu referuar martesës. Waterhouse shtoi se për momentin planet e tyre janë lënë pezull deri në fund të vitit, por theksoi se, nëse vendosin të hedhin këtë hap, do të organizojnë një festë të madhe për ta kremtuar siç duhet.

Waterhouse dhe Pattinson janë së bashku që prej vitit 2018. Gjatë intervistës, aktorja foli edhe për mënyrën se si arrijnë të ruajnë marrëdhënien e tyre, pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale dhe axhendave të ngarkuara.

“Kanë kaluar gati dhjetë vjet dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Ndonjëherë mendoj: ‘Nuk mund ta besoj që e kam në jetën time. Jam shumë e lumtur’”, u shpreh aktorja, duke treguar se sa shumë e vlerëson partnerin e saj.

Ajo foli gjithashtu për jetën e tyre familjare dhe mënyrën se si po e rrisin vajzën, e cila tashmë është dyvjeçare. Sipas Waterhouse, pavarësisht stilit të pazakontë të jetesës dhe angazhimeve që sjellin profesionet e tyre, të dy kanë arritur të krijojnë një ambient të qëndrueshëm për të voglën.

“Ndihem mirë me mënyrën se si po e menaxhojmë gjithçka dhe të dy jemi shumë të afërt me të. Ajo është një vajzë e bukur dhe e lumtur”, tha aktorja.

Thashethemet për fejesën e çiftit nisën në dhjetor të vitit 2023, kur Waterhouse u fotografua gjatë një shëtitjeje në Londër, duke mbajtur në gisht një unazë diamanti. Që prej asaj kohe, vëmendja ndaj jetës së tyre private është shtuar vazhdimisht.

Interesimi u rikthye edhe në mars, gjatë promovimit të filmit The Drama, ku Robert Pattinson luan përkrah Zendaya-s. Në një intervistë për Extra, dy aktorët u pyetën për sekretin më të madh që kishin mbajtur ndonjëherë. Pattinson iu drejtua bashkëprotagonistes së tij dhe u përgjigj me humor: “Është njësoj si i yti”, duke iu referuar thashethemeve për një martesë të fshehtë të Zendaya-s me Tom Holland. Të dy aktorët shpërthyen në të qeshura, pa dhënë më shumë detaje.

Ndërkohë, në shtator, Suki Waterhouse iu bashkua partnerit të saj në Festivalin e Filmit në Venecia, ku Pattinson po promovonte filmin Primetime. Çifti u shfaq së bashku në tapetin e kuq, ku nuk munguan pozat romantike dhe puthjet, duke tërhequr vëmendjen e fotografëve dhe të publikut.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›