BRUKSEL – Rutte: Më shumë aleatë të gatshëm të financojnë dërgesat e armëve amerikane në Ukrainë

BRUKSEL, 15 tetor /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se më shumë se gjysma e 32 anëtarëve të aleancës ishin zotuar se do të financonin dërgesat e armëve amerikane në Ukrainë.
“Sot, dëgjuam nga aleatët rreth kontributeve të reja”, tha sot Rutte pas takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, në Bruksel.
Më parë, gjashtë vende, përkatësisht Gjermania, Kanadaja, Holanda, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, kanë ofruar 2 miliardë euro përmes të ashtuquajturës iniciativë PURL të nisur në gusht.
Rutte nuk i përmendi vendet e tjera që do të japin kontributin e tyre. Megjithatë, ministrat e Finlandës, Letonisë, Belgjikës, Lituanisë dhe Estonisë njoftuan angazhimin e tyre në takimin e Brukselit.
Mbetet për t’u parë nëse ekonomi të tjera të mëdha evropiane si Franca, Italia ose Spanja do të përfshihen gjithashtu.
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey, tha se Britania e Madhe po shqyrtonte me kujdes mbështetjen për Ukrainën përmes mekanizmit të ri të rëndësishëm PURL.
“Armatimet përfshijnë pajisjet kryesore, duke përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe veçanërisht interceptorë dhe janë të rëndësishme për Ukrainën për t’u siguruar që popullsia e saj civile, infrastruktura e saj thelbësore të jetë sa më e mbrojtur kundër sulmit të vazhdueshëm rus”, tha Rutte përpara takimit.
PURL, ose Lista e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës, parashikon që municionet dhe armët e prodhuara në SHBA të blihen nga aleatët evropianë dhe Kanadaja, dhe më pas t’i vihen në dispozicion Ukrainës.
Iniciativa u lançua në përgjigje të kërkesave të bëra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili dëshiron që vendet e tjera të NATO-s të paguajnë për ndihmë të mëtejshme ushtarake për Ukrainën.
“Paqen e arrin kur je i fortë, jo kur përdor fjalë të forta ose tund gishtin. E arrin kur ke aftësi të forta dhe reale që kundërshtarët i respektojnë”, tha sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Denys Shmyhal, i cili informoi homologët e tij të NATO-s mbi situatën në fushën e betejës dhe nevojat e Kievit në luftën kundër Rusisë, falënderoi aleatët për kontributet e tyre, dhe shtoi se ishte e rëndësishme që edhe vendet e tjera të bashkoheshin.
Mbështetësit e iniciativës thanë se kjo u lejon aleatëve të vazhdojnë të furnizojnë me armë Ukrainën pavarësisht stoqeve të pakësuara vendase dhe vështirësive në rritjen e prodhimit të armëve në Evropë.
Blerja e armëve të huaja megjithatë shihet si sfiduese për vendet me politika industriale më proteksioniste. //a.i/