E Martë, 3 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli zotohet për hakmarrje pas sulmeve vdekjeprurëse iraniane

TEL AVIV, 16 qershor /ATSH-DPA/- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz u zotua dje për hakmarrje të ashpër kundër Teheranit – pas një vale të re sulmesh vdekjeprurëse me raketa iraniane ndaj qyteteve izraelite gjatë natës.

“Diktatori arrogant nga Teherani është bërë një vrasës frikacak që qëllon me armë – duke shënjestruar frontin civil në Izrael për të penguar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit – të vazhdojnë sulmin që po shkatërron kapacitetet e tyre”, shkroi Katz në X, me sa duket duke iu referuar Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

“Banorët e Teheranit do ta paguajnë çmimin – së shpejti”, tha ai.

Sipas shërbimeve të emergjencës, tetë persona u vranë dhe 92 u plagosën në sulmet e natës. Numri i përgjithshëm i viktimave në Izrael që nga e premtja tani është 23.

Zyrtarët e emergjencës raportuan katër sulme në zonën e Tel Avivit. Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee tha se zyra e degës së ambasadës në Tel Aviv kishte pësuar dëme të vogla nga një goditje aty pranë, por nuk u raportuan të plagosur.

Ushtria i ka kërkuar vazhdimisht civilëve të strehohen në strehimore private ose publike gjatë sulmeve, duke thënë se masa të tilla shpëtonin jetë.

Izraeli ka synuar vende strategjike në Iran që nga e premtja, duke përfshirë objekte bërthamore, zyrtarë të lartë ushtarakë, shkencëtarë, infrastrukturë mbrojtëse dhe instalime kyçe të naftës dhe gazit.

Qëllimi i deklaruar është të parandalojë Iranin nga avancimi i programeve të tij të armëve bërthamore dhe raketore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›