E Martë, 3 Nëntor 2026

TURQI – Tërmet 5,8 ballë Rihter, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur

STAMBOLL, 3 qershor /ATSH-AA/- Një vajzë 14-vjeçare vdiq dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, nga paniku dhe frika që përfshiu banorët gjatë një tërmeti me magnitudë 5,8 ballë Rihter – që goditi mëngjesin e sotëm brigjet e Marmarisit në provincën jugperëndimore Mugla të Turqisë, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), në Turqi.

Afranur Gunlu, e cila pësoi një sulm paniku gjatë dridhjeve në rrethin Fethiye, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi të shpëtonte pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, konfirmoi Guvernatori i Muglas, Idris Akbiyik.

Tërmeti, i cili ndodhi në një thellësi prej 67,91 kilometrash dhe 10,43 kilometrash larg brigjeve të Marmaris në Detin Mesdhe, nuk shkaktoi dëme të mëdha strukturore, por frika bëri që shumë persona të hidheshin nga lartësitë ose të largoheshin nga ndërtesat.

Akbiyik tha se 69 persona u plagosën nga tërmeti, kryesisht si pasojë e përpjekjeve për t’u larguar.

“Gjithsej 55 qytetarë janë dërguar në spitale, 10 me ambulancë dhe 45 në këmbë. Katërmbëdhjetë qytetarë refuzuan të transferoheshin dhe u trajtuan në vend. Një pacient u shtrua në spital, 46 po marrin trajtim në dhomën e urgjencës dhe tetë janë larguar”, tha ai.

Vlerësimet fillestare konstatuan vetëm dëme të vogla në dy ndërtesa në Marmaris, duke përfshirë çarje në mure, por nuk është raportuar ndonjë dëmtim i konsiderueshëm. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›