Tatimet nisin planin për formalizimin e turizmit, synohet 20% rritje e të ardhurave nga TVSH dhe 10% më shumë tatimpagues

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nisi zbatimin e një plani të detajuar operacional për formalizimin dhe rritjen e transparencës fiskale në sektorin e turizmit, me qëllim përmirësimin e deklarimeve tatimore dhe reduktimin e informalitetit në këtë sektor strategjik për ekonominë shqiptare.
Plani përfshin masa të shumta për të monitoruar dhe kontrolluar aktivitetin ekonomik në strukturat akomoduese, bar-restorante, agjenci turistike dhe shërbime të tjera të lidhura me turizmin, duke përfshirë edhe aktivitetet në platformat online si Booking dhe Airbnb.
Administrata Tatimore thotë se disponon të dhëna nga vetëdeklarimet, faturat e fiskalizuara, furnizimet, institucionet shtetërore dhe platformat ndërkombëtare si: Booking, Airbnb, Google, etj.
Në kuadër të këtij plani, administrata tatimore synon rritjen e të ardhurave me 20% nga TVSH-ja e paguar në sektorin e turizmit me normë tatimore 6%, rritje me 10% e numrit të tatimpaguesve deklarues TVSH në turizëm, ku përfshihen akomodimi dhe bar-restorantet që kanë normë standarde TVSH-je.
Po ashtu kryen monitorimin e pagesave me qëllim parandalimin e krijimit të borxhit të ri tatimor, përfshirë detyrimet për TVSH dhe tatimet e tjera të lidhura me aktivitetin ekonomik.
Sikurse përmirësimin e saktësisë së deklarimeve të punonjësve dhe pagave reale, përmes verifikimeve të thelluara si dhe sensibilizimin dhe këshillimin individual të tatimpaguesve për përmbushjen korrekte të detyrimeve fiskale.
Përmes këtij plani do të kryhet edhe monitorimi dhe analizimi i faturave fiskale për shërbimet e akomodimit dhe aktivitetet në stacionet e plazhit, si dhe kontrolli dhe verifikimi në terren i subjekteve me rrezik të lartë të informalitetit.
Administrata tatimore po bashkëpunon me institucione të tjera dhe aktorë vendorë për të krijuar një bazë të dhënash të përditësuar dhe të saktë të subjekteve që operojnë në sektorin e turizmit, duke e bërë sektorin më transparent dhe konkurrues në treg.
Ky plan operacional pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit në vitin 2025, duke garantuar një ambient më të drejtë dhe të qëndrueshëm për bizneset dhe shtetin.
1 nga 2/a.gj//a.f/