E Martë, 3 Nëntor 2026

TUNIZI – Një autokolonë autobusësh dhe makinash i drejtohet Gazës

TUNIS, 11 qershor /ATSH/ – Aktivistë, mjekë dhe avokatë nga Afrika e Veriut do të udhëtojnë nëpër Tunizi, Libi dhe Egjipt drejt pikës kufitare të Rafahut, shkruan euronews.com.

Një autokolonë autobusësh dhe makinash private u nis nga Tunizia për në Gaza, si pjesë e përpjekjeve për të denoncuar bllokadën e ndihmës humanitare të Izraelit në territor, pasi autoritetet izraelite bllokuan një anije humanitare.

Kjo përpjekje në rrugë tokësore, e organizuar në mënyrë të pavarur, përbëhet nga aktivistë, avokatë dhe profesionistë mjekësorë nga Afrika e Veriut.

Autokolona planifikon të udhëtojë nëpër Tunizi, Libi dhe Egjipt përpara se të mbërrijë në Rafah, pikë kufitare me Egjiptin, që ka mbetur kryesisht e mbyllur që kur ushtria izraelite mori kontrollin e një pjese të Gazës në maj 2024.

Grupet e shoqërisë civile tuniziane që mbështesin autokolonën thanë se qëllimi i tyre ishte të kërkonin “heqjen e menjëhershme të rrethimit të padrejtë në Rrip”.

Ata thanë gjithashtu se qeveritë arabe nuk kishin bërë presion të mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës 20-mujore midis Izraelit dhe Hamasit.

Pas një bllokade gati tremujore të Gazës që synonte presionin ndaj Hamasit, Izraeli filloi të lejonte ndihmë humanitare muajin e kaluar.

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se popullsia prej më shumë se dy milionë banorësh përballet me urinë nëse bllokada nuk hiqet dhe Izraeli nuk ndalon ofensivën e tij ushtarake.

Autokolona tokësore ka tërhequr vëmendjen në Tunizi dhe Algjeri, nga ku u nis të dielën, me disa që valëvitnin flamuj palestinezë dhe brohorisnin në mbështetje të Gazës.

Aktivistët e Afrikës së Veriut nuk presin që autokolona e tyre të hyjë në Gaza.

”Mesazhi ynë është një mesazh sfide dhe vullneti”, theksoi Saher al-Masri, një aktivist palestinez në Tunis.

Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur shkallë të ndryshme bllokade në Gaza që kur Hamasi mori pushtetin nga forcat rivale palestineze në vitin 2007./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›