E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vegjlit, kundër krijimit të federatës së majtë

Krijimi i federatës së majtë të hedhur para pak kohësh nga kryetari i PS-së, Rama dhe Gjinushi, është kundërshtuar nga aleatët e vegjël të së majtës. Kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, ka deklaruar dje se partia e tij, e cila tashmë është e pozicionuar si parti e qendrës nuk është e interesuar për krijimin e ndonjë federate të majtë apo të djathtë. PAD-ja ka theksuar Ceka, gjendet jashtë koniunkturave të së majtës. Më tej, kreu i PAD-së ka theksuar se kjo forcë politike nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për krijimin e federatave edhe nëse rritet pragu elektoral. Historia e pragut elektoral ka deklaruar Ceka është bërë e mërzitshme dhe ç‘është e vërteta nuk ka të bëjë fare me reformën zgjedhore dhe aq më pak pastaj me peizazhin politik shqiptar, pasi janë tjetër gjë aleancat para ose paselektorale.

Ceka tha se "PAD nuk i takon së majtës, por është një parti e qendrës edhe në programin e saj, por edhe në tërësinë e saj, pasi bën pjesë në Organizatën Liberaldemokrate Evropiane, që është e përfaqësuar si një forcë e veçantë e Parlamentit Evropian, krahas së majtës dhe të djathtës. Nga ana tjetër, fryma e ligjit tek i cili po përafrojnë mendimet, parashikon aleanca paszgjedhore edhe nuk favorizon federatat". Ndërsa në lidhje me sistemin zgjedhor, Ceka ka theksuar se forca politike që ai përfaqëson është për sistem zgjedhor të tipit proporcional i personalizuar, që përfshin sistemin gjerman, i cili deri tani gëzon mbështetjen e partive politike shqiptare dhe që realizohet kryesisht me dy ndryshime nga sistemi i tanishëm zgjedhor, krijon një lloj balance të hapur, pasi u lejon partive të marrin aq vende në Parlament sa vota kanë marrë. Pothuajse në të njëjtën linjë diskutimi me kryetarin e PAD-së, Ceka, ka qenë edhe aleati tjetër i PS-së, kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Duke kundërshtuar idenë e krijimit të një federate të majtë, Milo ka theksuar se aktualisht në Shqipëri nuk janë krijuar kushtet për organizimin e një federate të majtë. Sipas Milos, ka disa arsye për të cilat kjo federatë nuk mund të krijohet aktualisht dhe arsyeja kryesore është pikërisht përçarja që ekziston brenda vetë partisë kryesore të së majtës, që është PS-ja. "Kushti i parë për të menduar për një federatë në të ardhmen, është që të ketë një PS unike dhe të qëndrueshme në struktura dhe që të mos ketë halle të tilla të brendshme, që nuk e lejojnë atë që të mendojë për të realizuar një federatë bashkë me partitë e tjera", është shprehur Milo. Sipas kreut të PDS-së, një tjetër arsye për të cilën nuk mund të realizohet krijimi i një federate të majtë, është edhe fakti që LSI aktualisht nuk është e prirur që të futet në një ombrellë federate, sepse do të krijonte përshtypjen sikur po rikthehej përsëri në strukturën nga ajo doli. Megjithatë, ai pranoi se "mund të ketë përpjekje nga ndonjë parti tjetër e së majtës dhe në këtë rast është PSD, e cila ka interesa të veçanta dhe përllogaritje pragmatiste, që lidhen edhe me fushatën e ardhshme elektorale, ndaj dhe kërkon të futet në ombrellën e PS-së, por këto janë çështje të brendshme të saj". Duke shprehur qëndrimin e PDS-së për këtë çështje, zoti Milo theksoi se "aktualisht forma më e mirë e bashkëpunimit mes partive të së majtës është që të ndërtohet një platformë e përbashkët me të gjitha partitë e koalicionit opozitar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›