E Diel, 1 Nëntor 2026

Braun: Misioni i BE-së në Kosovë do të ketë bazë të fortë ligjore

Kryeministri britanik, Gordon Braun, ka deklaruar se vendimi i liderëve të Bashkimit Evropian për të dërguar 1.800 policë, personel gjyqësor dhe administrativ në Kosovë, do të ketë bazë ligjore. Kreu i qeverisë së Britanisë së Madhe është cituar nga e përditshmja prestigjioze, "Independent". Liderët e BE-së, "përkundër dallimeve se si do të reagojnë në ndarjen e Kosovës nga Serbia, e cila tani pritet në muajin shkurt, në Samitin e Brukselit kanë vendosur të nisin operacion më të madh shtetformues evropian, detajet e të cilit ministrat e Punëve të Jashtme do të shqyrtojnë pas Vitit të Ri". Ky është misioni i parë në historinë e BE-së që dërgohet për të krijuar një shtet ligjor funksional, çfarë është rasti i Kosovës. Për dallim nga UNMIK-u, misioni i BE-së në Kosovë vlerësohet se do të udhëhiqet në presion të madh nga Brukseli, në mënyrë që ky rrëfim i parë historik të japë rezultate të prekshme, siç është lufta kundër krimit të organizuar, sundimit të përgjithshëm të ligjit dhe krijimit të parakushteve për ekonomi dhe treg të qëndrueshëm. Vende anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kanë arritur kompromisin sipas të cilit përfaqësuesi i Kosovës do të mund t‘u drejtohet KS të OKB-së në takimin kushtuar ardhmërisë së Kosovës që mbahet më 19 dhjetor. Presidenti Fatmir Sejdiu do flasë formalisht "në kapacitet personal" në takimin me dyer të mbyllura. Kjo u bë e ditur nga ambasadori italian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Marcelo Spatafora. Italia ka kryesinë e radhës së Këshillit të Sigurimit. Siç dihet, kohë më parë Serbia kishte kërkuar nga KS i OKB-së që përfaqësuesit të Kosovës të mos i mundësohet t‘i drejtohet Këshillit të Sigurimit në takim, sepse "Kosova nuk është shtet". Mediat serbe njoftojnë se ambasadori rus, Vitali Çurkin, ka propozuar që Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, t‘i drejtohet Këshillit të Sigurimit, në kuadër "të rregulloreve që ua lejojnë individëve që nuk janë burrështetas të marrin pjesë në debate".

Gazeta "Interneshional Herald Tribune" ka publikuar një plan për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në të ndahen në tri grupe vendet që do të njohin pavarësinë. Sipas këtij plani, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania do të jenë vendet e para që do të njohin pavarësinë e Kosovës, të pasuara nga SHBA-ja, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra. Ndërsa në grupin e tretë hyjnë Maqedonia, Shqipëria, Turqia, Kroacia dhe Sllovenia. Plani është hartuar në Bruksel, ndërkaq pritet një njohje e përgjithshme e 56 vendeve anëtare të Konferencës Islamike.

Ndërkaq, ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka protestuar ndaj pjesëmarrjes së Presidentit të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 19 dhjetor. "Është dëm dhe për keqardhje që Këshilli i Sigurimit nuk ka pasur fuqi që të mbajë seancën e hapur dhe në të respektojë Rezolutën 1244 dhe kornizën kushtetuese të Kosovës që thotë se përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme jashtë mund të jenë vetëm përcjellës të delegacioneve, të cilat i udhëheq përfaqësuesi special i sekretarit të Përgjithshëm në këtë rast, Joakim Ryker", tha Samarxhiç. Ai vlerësoi se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë marrë vendim që seanca të jetë e mbyllur me qëllim që në të të mund të flasin edhe përfaqësuesit e subjekteve joshtetërore - prandaj në kuptim është lejuar që në cilësinë personale të paraqitet edhe kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, deklaroi se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë me qëllim që në atë krahinë serbe,e cila është, siç tha, e gatshme për fazën e re, mund të vijë deri te përparimi në të gjitha fushat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›