PD e PS, dakord për shtyrjen e mandatit të komisionit të reformës
Komisioni i reformës zgjedhore do të shtyjë mandatin e saj edhe për tre muaj të tjerë. Megjithëse ende nuk është zyrtarizuar vendimi në Kuvend, dy partitë e mëdha PD-ja dhe PS-ja parimisht kanë rënë dakord që mandati i komisionit të dytë të reformës zgjedhore pas dështimit të parë dhe të dytë t‘i jepet edhe një mundësi e tretë për të arritur qëllimin e tij. Ky konsensus, sipas dy përfaqësuesve të partive të mëdha, bëhet për t‘i dhënë vetes edhe një mundësi tjetër që të arrijnë marrëveshjen për realizmin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor para samitit të Bukureshtit ku Shqipëria shpreson të marrë ftesën për në NATO. Pasi, tashmë dihet nga të gjithë se dy nga kushtet kryesore të cilat duhet të plotësoje vendi ynë për anëtarësimin në NATO është reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi, për këtë të dytën ka pak gjasa që të gjendet kompromis mes pozitës dhe opozitës për ta realizuar.
Në lidhje me shtyrjen e mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka theksuar se "ka nevojë për një shtyje afati, në rast se komisioni nuk do të pranojë dështimin, sigurisht që do të shtyhet afati i tij". Pothuajse të njëjtën gjë ka deklaruar edhe bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, deputeti i PS-së, Kastriot Islami. "Nëse ka vullnet dhe arrihet konsensusi, këto 3-4 muaj janë të mjaftueshme për të arritur dhe bërë të gjitha ndryshimet në Kodin Zgjedhor", është shprehur Islami. Sipas Islamit, nëse do të ketë vullnet mes palëve dhe konkretisht nga mazhoranca, atëherë shqiptarët nuk do të humbin ftesën për në NATO, për shkak të mosrealizimit të reformës në sistemin e drejtësisë. Prej disa ditësh në politikën shqiptare kanë nisur diskutimet për realizmin e reformës zgjedhore, dhe pas propozimeve të katër modeleve nga OSBE-ja deri më tani janë përzgjedhur dy, modeli spanjoll dhe ai gjerman. Dy partitë e mëdha kanë mbështetur deri më tani modelin spanjoll, pasi ai ka pragun edhe më të lartë, model i cili nuk është pranuar nga të vegjlit, të cilët preferojnë modelin gjerman si më të përshtatshmin për Shqipërinë. Tashmë se çfarë rrjedhe do të marrë reforma zgjedhore ne Shqipëri nëse do të arrihet një konsensus apo jo mes palëve, kjo mbetet për t‘u parë pas festave të fundvitit, sepse pas pak ditësh Kuvendi merr pushimet duke mbyllur këtë sesion parlamentar dhe me nisjen e sesionit të ri në janar, duhet të nisë intensivisht edhe puna për gjeteje një formule të përbashkët për zgjedhjet në Shqipëri.