E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi, afrohet koalicioni qeverisës me LDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i ngarkuar me mandatin për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, ka vazhduar takimet intensive me partitë politike për krijimin e koalicionit të ri qeverisës. Partia e tij doli fituese në zgjedhjet e 17 nëntorit, duke lënë prapa Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e re, Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në bisedimet e deritashme është vënë re një afrim më i madh ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe rivales së vjetër të saj Lidhjes Demokratike të Kosovës që drejtohet nga Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu.

Thaçi ka përsëritur qëndrimin se Kosova do të ketë qeverisje të fuqishme politike, por edhe opozitë konstruktive.

Ai ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e partive politike serbe dhe sipas tij, qeveria e re do të jetë qeveri e integrimit të gjerë në të cilën do t‘ju jepet hapësirë edhe pakicave.

Ai tha se Kosova po krijon identitet të ri dhe do të jetë një vend për të gjithë qytetarët e saj. Thaçi kishte paralajmëruar se institucionet e reja të vendit mund të krijohen para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku të mërkurën do të debatohet për raportin e treshes së Grupit të Kontaktit mbi negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat përfunduan më 28 nëntor pa ndonjë marrëveshje. Por, zhvillimet e fundit kanë lënë të hapur mundësinë që marrëveshja për koalicionin e ri qeverisës të ndodhë pas këtij takimi. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti vendimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian për të dërguar një mision të kësaj organizate në Kosovë. Në komentet e tij, Thaçi i siguroi vendet evropiane se Kosova nuk do të bëjë ndonjë lëvizje pa përkrahjen e Perëndimit.

Vendimi për dërgimin e një misioni evropian në Kosovë shihet nga Prishtina si një hap tjetër drejt shkëputjes nga Serbia.

"Kosova e mirëpret vendimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian. Ky është një vendim i drejtë në një kohë të qëlluar. Ne, si kosovarë, jemi të gatshëm dhe të bashkuar për të filluar zbatimin e procesit politik për statusin politik dhe dokumentin e Presidentit Ahtisari për të ardhmen e Kosovës. Mendoj se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës sa më parë është një hap i domosdoshëm jo vetëm nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, por edhe nga udhëheqës të tjerë botërorë", tha Thaçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›