Tensione në Parkun Olimpik, hapen kutitë e para të votimit të diasporës

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Në parkun Olimpik ka nisur të hapen kutitë e para të votimit të shqiptarëve të Diasporës, ku janë hapur zarfet që i takojnë qarqeve të Kukësit dhe Korçës.
Teksa ka nisur numërimi i votave, Partia Demokratike ka kërkuar që votat e ardhura nga Greqia të ndahen veçmas.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, i pranishëm në qendrën e numërimit të votave kërkoi që zarfet e ardhura nga Greqia të lihen menjëanë deri në një vendim të dytë.
“Ne kemi bërë ankesa të shumta në KQZ dhe publikisht për votën e ardhur nga Greqia që ka patur probleme. DHL ka nënkontraktuar dy kompani postare në Greqi për zarfet”, tha Logu.
Përfaqësuesja e KQZ ka kërkuar që zarfet nga Greqia të ndahen për momentin veç deri në një moment të dytë. Në këtë pikë ka ndërhyrë edhe drejtuesi politikë i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, që e ka cilësuar këtë proces si të jashtëligjshëm dhe kërkoi vijimin e numërimit.
Balla tha se, është shkelje ligjore ndërprerja e numërimit dhe numëruesit ngarkohen me akuza ligjore nëse nuk e respektojnë ligjin.
“Nuk mund ta shkelësh ligjin edhe pse je përfaqësuese e KQZ-së. Nuk ke asnjë të drejtë të shkelësh ligjin. Ti je aty të respektosh ata. Ti po shkel ligjin dhe ne ruajmë të drejtën për të bërë kallëzim penal edhe ndaj teje. Ajo që je duke bërë është përtej kompetencës që ke ti. Kush është arsyeja që ju nuk numëroni votat e Greqisë? Kërkoji provë dhe pastaj shko dhe shqyrtoje provën që thonë ata. Je në shpërdorim detyre, po shkel ligjin. Shkon drejtoresha e KQZ-së dhe thotë shkelni ligjin. E rëndë. Ngarkoheni me përgjegjësi nëse nuk bëni detyrën”, tha Balla.
Për mediat ai tha se “Unë nuk kam parë ndonjëherë dhe më vjen keq për KQZ që nuk merr masa, se del njëri aty nga fundi i sallës dhe kërkon mos me numëruar ato votat e Greqisë. E kuptoni apo jo? Kjo është e paligjshme. Nuk mund të thotë njëri nga salla dhe të thotë ndajini votat veç. Se tani ka diçka, nëse një numërues bllokon procesin, rrezikon nga 6 muaj deri në 3 vite burg. Se nuk besoj që ka ndonjëri në Shqipëri që nuk e di që këta kanë hall numërimin. Këta kanë hall alibinë e humbjes”, tha Balla.
Pas këtij momenti, në qendrën e numërimit të votave të diasporës tek Parku Olimpik ka mbërritur edhe Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD. Ai thekson se do të numërohen të gjitha votat e diasporës.
“Një më një do të numërohen të gjitha, por jo ato që ka sjell Balla nga Greqia”, tha Noka.
Votat e ardhura nga shteti grek kanë arritur në mbi 52 mijë vota.
Ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se, për pak do të nisë numërimi i votave të diasporës.
“Kanë filluar procesin anëtarët e grupit të numërimit dhe besoj punë minutash sa të rregullojnë dokumentacionin”, tha ai
Numërimi i votave te diasporës, foto: Agim Dobi 1 nga 11/a.f/