E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis numërimi i votave të diasporës, Celibashi: Askush nuk mund ta sfidojë ligjin

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nga Parku Olimpik, në një konferencë për mediet njoftoi nisjen e numërimit të votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë.

“Kemi filluar numërimin e fletëve të votimit për qarqet Tiranë, Korçë, Gjirokastër dhe Dibër. Procesi kërkon kohë për shkak të ndarjes së zarfit A nga zarfi B, për të garantuar ruajtjen e anonimitetit të votës”, tha Celibashi.

I pyetur për votat nga Greqia, ku Partia Demokratike ka shfaqur rezervat e saj, Celibashi theksoi se procesi parashikon që për çdo pretendim të shprehet Komisioni për Administrimin e Votës nga jashtë dhe në rast se nuk ka vendim në këtë instancë, vendimi i kalon KQZ.

“Mesa duket mesazhet që përcollëm në përfundim të procesit të votimit nuk kanë rezonuar shumë mirë për të gjithë. Jemi duke vlerësuar këtë situatë dhe kemi biseduar me anëtarët e grupeve të numërimit  të votave nga jashtë për ta zgjidhur këtë situatë dhe është në kompetencën e tyre për të vlerësuar çdo votë dhe zarfë që vjen dhe nëse nuk marrin këto vendim, vendimi i kalon Komisionit për Administrimit të Votës nga Jashtë. Nëse nuk do të ketë një vendim ky komision, vendimi do të duhet t’i kalojë një instance më lartë, KQZ”.

Celibashi tha se “nuk është mirë që përfaqësues politikë të angazhohen në procesin e numërimit. Janë këtu në gjithë të drejtën dhe privilegjin, por ndërhyrjet në proces janë të papranueshme”.

“Është pak por e siguritë që me çfarë do lloj veshje, askush nuk mund ta sfidojë ligjin. Ne kemi të gjithë qetësinë për të marrë të gjitha vendimet  që duhen marrë. Tani e kemi këtë rrethanë ne do ta vlerësojmë, në mënyrë hipotetikë nuk mund ta vlerësonim”, theksoi Celibashi.

“Është vetëm çështje kohë që kur çdo gjë do të kthehet në shinat e ligjit. Për ne është e rëndësishme që vendimmarrjet të jenë të qarta dhe të pakontestueshme”, u shpreh Celibashi.

Celibashi po ashtu theksoi se “Numëruesit kanë obligim ti përgjigjen vetëm ligjit”.

Ai po ashtu tha se “nuk mund të ketë një vlerësim bllok për të gjitha votat. Nuk mundet që për 20 000 vota, apo 30 000 vota të ardhura nga Gjermania, Italia apo Greqia apo ndgado apriori,pra të konsiderohen në bllok të paligjshme. Besoj që është e qartë për këdo kjo situatë. Ata që numërojnë dhe menaxhojnë procesin janë ato që janë përgjegjës për vlerësimin e çdo vote. Vendimmarrja është e tillë dhe do të jetë tillë që kjo çështje të menaxhohet dhe të zgjidhet ashtu siç duhet të zgjidhet konform ligjit”, shtoi Celibashi.

I pyetur shkaqet që çuan shtyrjen e publikimit të rezultatit zgjedhor në qendrat e votimit dhe numërimit elektronik, Celibashi theksoi se nuk cenon integritetin e procesit.

“Është një numër i qendrave të votimit që gjatë procesit të mbylljes së qendrave të votimit ne e kemi marrë rezultatin. Arsyeja përse vendosëm që ta shpallim nesër rezultatin është pasi kjo nuk e cenon integritetin e votës. Nesër shpallet shumica e rezultateve dhe të njësive të tjera zgjedhore, dhe mendoj që i kemi kontribuar më mirë procesit dhe integritetit të procesit zgjedhor në këtë drejtim. Do të kishim preferuar që rezultatin ta kishim shpallur menjëherë pas mbylljes së votimit”, tha Celibashi.

Numërimi i votave të diasporës, Foto: Agim Dobi 1 nga 8

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›