Tentuan të vrisnin me eksploziv 57-vjeçarin në Sarandë, arrestohet 21-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentat

Një i ri është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në atentatin me eksploziv ndaj një 57-vjeçari, ngjarje e ndodhur më 5 shkurt 2026 në qytetin bregdetar.
Në pranga ka rënë shtetasi I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me dy persona të tjerë, tashmë të shpallur në kërkim, në tentativën për vrasjen e shtetasit M. Gj., 57 vjeç.
Sipas policisë, 21-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Më herët, në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe shtetasit G. T., 39 vjeç, dhe Xh. B., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se ata dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga 57-vjeçari, me qëllim eliminimin e tij fizik.
Atentati ka ndodhur në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, por 57-vjeçari i mbijetoi sulmit.
Gjatë operacionit për arrestimin e 21-vjeçarit, u bë kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion, e cila mbahej pa leje.
Policia vijon hetimet për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim, të cilët konsiderohen të përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore.
/rtsh.al/