E Diel, 1 Nëntor 2026

Urrejtësit, "Hate speech" në Shqipëri

Jo, jo, është e pamundur të përqendrohesh brenda vetes për të menduar. Më duhen vetëm dhjetë minuta kohë për të përshkuar udhën nga shtëpia në punë. Dhe në këto dhjetë minuta nuk kam asnjë mundësi të ftilloj mendimet e mia të një dite të re.

"... njëqind copash, kafkën" - është një prej shprehjeve më të buta që më fishkëllen si plumb prapa veshëve. Sigurisht, duhet të jetë fjala për t‘ia çarë kokën këtij të ngratit që struket brenda vetes, por unë kam dëgjuar vetëm kaq.

Këtu përpara janë dy shoferë, apo ndoshta thjesht njerëz me vetura, që me siguri Th. Mitko do t‘ua kishte zili për pasurinë e idiomave që përdorin ndaj njëri-tjetrit. "Të mbjell në Sharrë deri te zogu i pulës", i kërcënohet ai që kërkonte udhë të hapur tjetrit përbri. "Të zhduk deri në shtatë breza", i përgjigjet tjetri, pa e lënë veten borxh. Pak më tej, një prej policëve të shërbimit pranë bllokut të ministrive s‘dihet pse është nxehur aq shumë, sa t‘i thotë një kalimtari si unë: "Kam me t‘çue atje, ku s‘del ma!"

A thotë "mirëmëngjes" njeri në këtë vend?! Më ka marrë malli të dëgjoj fjalët e zakonshme të përshëndetjes njerëzore. "Tungjatjeta", për shembull, në vend të "tung". Epo mirë, edhe "tung", hajt po e pranojmë, vetëm mallkime e kërcënime të tilla jo.

"Od‘ et amo!" - më vjen fluturimthi në mendje në një çast të shkurtër pa fjalë urrejtjeje që vërshon rrugës, pa "hate speech", siç thonë britanikët. "Urrej dhe dua!" thotë Catullius, poeti i madh lirik i Romës antike qysh prej më shumë se dy mijë vjetësh. Duhet të jetë diçka e pandashme prej njeriut përderisa qysh në lashtësinë latine thuhej kështu. Ama Catullius, thotë se urren dhe do. Jo vetëm urren. "Me zorrët tuaja do të bëjmë litarë dhe lidhëza këpucësh". Po, po, kështu ishte. Ushtarët e shtetit fqinj në jug inkurajonin veten për të kryer detyrën me vargje të tilla, që u drejtohen shqiptarëve.

Ndoshta është gjithkund njësoj?! Apo ndoshta vetëm në Ballkan?! "Ne do t‘ua ngrijmë buzëqeshjen", m‘u kujtua një slogan i politikës së zbatuar, në Tiranën tonë. Po me buzëqeshjen ç‘kanë?

"Ta bëj surratin si këpucën!" - po, kështu ishte dhe nëntitulli i lajmit, që kam përcjellë para disa ditësh. Ah, jo, s‘është e thënë të përqendrohem. Sapo më del përpara një grup tjetër urrejtësish. A ekziston kjo fjalë në shqip?! Nëse nuk ekziston, puna e do që të krijohet. Urrejtës, njësoj si brejtës, zhytës, sjellës. Sepse urrejtja është një mënyrë jetese në mesin tonë. Ka urrejtje të shprehur e të pashprehur, ka urrejtje me sy e me fjalë, me duar e me armë.

"Hate speech" është muri i vërtetë që duhet të kalojë njeriu shqiptar për t‘iu afruar kontinentit me të cilin e lidh gjithë historia e vet. Ka shumë të ngjarë që "hate speech" të mos jetë gjë tjetër veçse një vazhdim i shndërruar i "luftës së klasave", "motorit" të dikurshëm të historisë. Sepse nuk urrehen vetëm politikanët mes tyre, por edhe simpatizantët që kanë; nuk urrehen vetëm njerëzit që mëngjesi i përplas përballë njëri-tjetrit në rrugë. Thonë se urrejtja, me fjalë apo me veprim ("speech and action hate"), është njësoj si helmi i gjarprit. Nëse njeriu do ta merrte helmin pak nga pak jo vetëm se nuk do të pësonte gjë vetë, por do të shndërrohej në një lloj gjarpri. E tmerrshme ta mendosh!

Sytë më venë vetiu te një prej tryezave ku shitet shtypi i përditshëm. Nuk dua të shoh në atë drejtim, por ... ku t‘i hedh sytë?! Ja, kjo qenia që kam përpara, me të cilin shikimi më kryqëzohet krejt rastësisht, më duket sikur do të më pyesë: "Ǒke që më sheh?!". Po, po, në rrugët e Tiranës duhet të vendosen tabela ndaluese jo për duhanin, por për shikimin. "Mos shih këtu!", "Ndalohet shikimi", "Kthesë djathtas për ata që duan të shohin". Shtypi i ditës qenka gjithaq i mbushur me urrejtje, si përditë. Titujt janë thuajse njësoj si në shtypin e viteve fill pas luftës, viteve të gjyqeve të mëdha politike: "Kriminelët në litar!", "Kriminelët porsi miu / i gjykon, Bedri Spahiu!".

Ja ku më vjen në mendje një thënie e përzgjedhur e një lideri të lartë: "Do t‘ua thyejmë kafkat dhe do t‘ju tërheqim zvarrë!". Por nuk mbeten prapa edhe zonjat: "Gabimi i vetëm yni është se nuk ju dhamë një plumb kokës!".

Ngado që të kthesh kokën, syrin, veshin, do të gjesh një zell të papërmbajtur nekrofilësh. Ata flasin në emër të vdekjes. Kujtojmë se Njeriu i vdekjes u promovua më 11 shtator. Ai diti të vdesë mirë. Por jo të jetojë. Shkoi drejt kullave binjake, bashkë me "veglën e shejtanit", sepse kuptimin e gjeti te vdekja. Dhe njeriu shqiptar e ka dënuar këtë model. Madje me një zell të paimagjinueshëm.

Në të vërtetë në Shqipëri sundon pushteti i urrejtjes. Le të ndalojmë pak e të marrim frymë. Këtu është një bar i mënjantë ku mund të porosisësh një kafe dhe të shestosh pak mendjen. Cilat ishin siglat muzikore që u bënë pjesë e sloganeve të konkurrimit të fundmë politik në Shqipëri?! Njëra palë dilte në sheshe e tribuna me thirrjen e këngës së njohur "We will, we will rock you!". Ne do t‘ju shkelim me këmbë! Domethënë, ne, një e treta, gjysma apo më shumë se gjysma e shtetasve me të drejtë vote do t‘i shkelim e do t‘i shtypim me këmbë gjithë të tjerët që mbeten. Më kujtohet "Krishti me kamxhik" i Nolit. Dhe them se mënyra revolucionare e ndërrimit të pushteteve në mendësi nuk është prekur fare. Se mos ka ndonjë ndryshim në anën tjetër. E dini se cili ishte slogani i kësaj ane? Motivi i "Carmina burana" të "Requiem-it" të famshëm të Mozart-it, një prej liturgjive muzikore më të njohura të botës së artit: "Confutatis ... de prophundis", janë disa prej fjalëve latinisht që mund t‘i dallosh lehtë nga slogani muzikor i kësaj ane e që shqipërohen: "Ne do t‘ju djegim në zjarrin e ferrit, ne do t‘ju këndojmë këngën e fundme, domethënë ne do t‘ju përcjellim në botën tjetër". Në fakt, "Carmina burana" për të përcjellë njeriun në botën tjetër është kompozuar. Studiuesit diskutojnë nëse Mozart-i e shkroi "Requiemin" për veten apo për të atin. Por ai e shkroi për të zbutur zemrat, e jo për të kurdisur urrejtjen.

Ja, këto janë sloganet muzikore nga të cilat ka dalë pushteti. Dhjetëra mijë njerëz kanë vërshuar rrugëve për të përshëndetur liderët e tyre me një entuziazëm të rrallë, nën thirrjet që jam e sigurt se nuk i kanë kuptuar kurrë: "Ne do t‘ju shtypim kokat, ne do t‘ju djegim në zjarrin e ferrit!". A mund të dalë një përfundim politik pa "hate speech" nëse motot ishin të tilla?!

Steve Wonder! Një prej zërave që magjepsi shekullin. "Beatles" thoshin se nuk ia kishin drojën askujt në botën tejatlantike, veç Steve Wonder. Pikërisht ky mit i muzikës së madhe botërore, teksa largohej nga podiumi ku sapo ishte zhvilluar një miting elektoral i kandidatit demokrat, të cilit i ofroi edhe mbështetjen e tij, "u pengua" e për pak desh ra. Krejt i shkujdesur, artisti i madh një jetë i verbër rimori mikrofonin dhe tha: "Unë u pengova se më hutoi bukuria e asaj që nesër do të mund të jetë zonja e parë e këtij vendi". Ai nuk nxori kurrfarë helmi nga goja, sepse brenda tij nuk ka helm.

Nuk është vetëm "fjala e urrejtjes", por unë mendoj se është mendësia, ajo që na bën të mos shkëputemi dot prej saj. Ja, kjo është sfida e njeriut shqiptar. E të njëjtit njeri që për një kohë të gjatë në studimet e të huajve vazhdon të paraqitet si modeli i fundmë i virtytit dhe i nderit fisnik!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›