Në "Kosovën e Vogël", duke pritur Pavarësinë
Në fillim na duket sikur në fshatin ku jemi nuk do të shohim asgjë ndryshe nga fshatrat e tjerë rreth e rrotull. Jemi në Rrushbull, vetëm pak kilometra larg Durrësit. Po ato kodra të buta që zbresin ngadalë drejt detit, po ato shtëpi të ndërtuara në këto vitet e fundit, po ajo lagështi, e shtuar edhe më shumë nga një shi i imët dhe i ftohtë, po ajo zhurmë që vjen që nga rruga kryesore… Na duket sikur në vend që të udhëtojmë kemi ngecur në vend. Të njëjtin peizazh do ta shihnim kudo në periferinë e Durrësit a të Tiranës. Për fatin tonë të mirë jemi gabuar. Këtë do ta mësojmë shumë shpejt, sapo të mbërrijmë në oborrin e shkollës 9-vjeçare të Rrushbullit. Është pushimi i madh dhe moria e nxënësve mblidhet rreth grupit tonë duke folur pa pushim. Mbi kryet e fëmijëve valëviten dy flamuj të mëdhenj kombëtarë. Janë bërë edhe më hijerëndë nga shiu që vazhdon të bjerë. Emri i shkollës është "Vëllezërit Haradinaj". Që këtu e marrim vesh se në këto anë do të mësojmë ca histori të ndryshme nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë.
"Ne jemi kosovarë!"
Tre burra kanë dalë të na presin. I pari është Kadri Popoci, kryeplaku i fshatit, i dyti është Avdi Gashi, i cili thotë se ka mbetur më i moçmi në atë fshat, i treti, "i zoti i shtëpisë", drejtori Mehmet Berisha. Të tre janë pasardhës të familjeve kosovare që u vendosën këtu në kohët e masakrave serbe pas Luftës së Parë Botërore. Të tre janë kosovarë nga familje të vjetra me rrënjë të thella në vendin që po pret pavarësinë. Të tre flasin dialektin e Kosovës, të tre presin përditë me sytë nga ekrani se çfarë po ndodh në dheun e të parëve. Që të tre janë të bindur në shifrat që japin: Janë mbi 400 mijë kosovarë, pasardhësit e refugjatëve të ardhur në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore, nga të cilët rreth 20 mijë jetojnë vetëm në zonën ku ndodhemi. Takimi me ta na duket sikur nuk zhvillohet në skaj të rrugës së zhurmshme Tiranë-Durrës, por qindra kilometra më në Verilindje, diku andej nga Peja apo Gjakova.
I pari nis të flasë Kadriu, kryeplaku, i cili nuk ka hequr dorë edhe nga zakoni i vjetër i të mbajturit mustaqe. "Unë jam kosovar peshkatar", bën shaka me veten dhe pastaj nis të rrëfejë në dialektin e pandryshuar historinë e të parëve të tij. "Familja jonë - thotë - ka mbërritë n‘këto anë në vitin 1924, si shumë kosovarë të tjerë të ikun nga masakrat e shkieve. Ka qenë gjyshi jem dhe tre vllaznit e tij që kanë ardhë prej Peje. I kanë vendosë n‘toka shtetit. T‘part e mi thoshin se ktu ka qenë krejt pyll. Atherë e kanë hapë vetë tokën dhe kështu kanë nisë me jetu. Shpitë e para ishin vetëm disa ksolla, sikur u themi ne, dhe ma vonë kanë ndërtu edhe shtëpitë e reja me tulla. Kur të shkojmë andej nga fshati keni me i pa edhe vetë lagjet ma t‘vjetra tona. Nga katër vetë që patën ardhë sot jena ba 150. T‘gjithë me sy e veshë nga Kosova".
Avdi Gashi, të cilin shumë shpejt e thërrasim të gjithë thjesht "Baca", është besimtar mysliman. E mban në kokë atë beretën klasike të besimtarëve dhe ka qenë gjashtë herë për haxhillëk në Mekë. Fisi i tij ka ardhur në Shqipëri ca më herët, në kohën e luftërave ballkanike. "Në vitin 1915, të parët tanë - na thotë "Baca" - patën lidhë besë me disa familje të tjera në malësi që të luftonin shkiet që po zaptonin Kosovën. Nuk e kanë pranu kurrë ktë zaptim, kështu që kanë luftu për 13 dritë me radhë me ushtritë e krajlit. Si janë vra e janë pre atherë kanë vendosë me ardhë këndej, në Shqipninë që sapo ishte krijue. Për herë t‘parë kanë ra n‘Tropojë ku kishim miq e krushqi e mandej, diku andej nga 1917, kanë ardhë në këto zona. Nji pjesë e fisit ka shkue mandej në Shënavlash, atje ku kam le edhe unë. Të parët tanë që mbërritën këndej ishin katër burra e tri gra. Tash jemi mbi 300 kushërinj". Baca mendohet një herë fort kur e pyesim për kujtimet e tij më të hershme. "Ajo që i ka vra kosovarët sapo kanë mbrritë në Shqipëri ka qenë malarja - thotë me zë të dridhur - mor po i ka myt krejt. Ishin msu ndër bjeshkë, me ajër të pastër dhe me nji klimë të shnetshme, sikur e ka Kosova ma, po ktu u detyrun me jetu mes mushkonjave e kënetave. Kështu që kanë vdekë shumë. Ikën me i shpëtu nga vrasja e shkijes dhe ranë në një kurth tjetër. S‘ke çka ban kshtu e ka jeta. Por të paktën me vendasit që gjetën këtu janë miqësu shumë shpejt dhe kanë kalu mirë. Mbaj mend se ktu shpitë e para kanë qenë shumë primitive. Ishte zakon që oxhak mbanin vetëm familjet e mëdha, të tjerët, bujqit e thjeshtë, e ndiznin zjermin në mes të dhomës dhe tymi dilte nga një vrimë e madhe mbi çati. Kur erdhën të parët tanë dhe nisën me ndërtu shpia sollën këtu edhe kulturën e ndërtimeve të reja më dinjitoze, me oxhak si në shtëpitë tona n‘Kosovë dhe me dritare me xhama. Mund t‘ju duket habi, por kshtu ka qenë".
Mehmet Berisha, drejtori u lë kohe miqve të tij të flasin, pastaj nis të rrfejë edhe historinë e familjes. Kjo është disi më e re, ndryshe nga ajo e "Bacës". "Në kohën e Zogut familja jonë ka jetuar në Berat - pastaj kanë kaluar në Kosovë, meqë në Luftën e Dytë Botërore Kosova e Shqipëria u bënë një shtet. Në 1945 kaluan sërish këndej dhe janë vendosë këtu. Në 1949 ka lindur i pari prej nesh, a më mirë me thanë, i pari që nuk lindi në Kosovë dhe kështu ka vazhduar jeta jonë njësoj si e gjithë kosovarëve të këtushëm".
Rikthimi
Të tre i kanë sytë me lot sapo u kujtohet udhëtimi i tyre i parë për në Kosovë. Të tre shikojnë nga njëri-tjetri duke kërkuar ndihmë se si ta shprehin sa më mirë atë emocion të paanë që kanë përjetuar në rikthimin e tyre të ëndërruar. "Ishte si me jetu nji andërr. Kam qenë për herë të parë bashkë me babën. Kulla e vjetër nuk ishte ma. Imagjinoni pak se si ndjehet njeriu kur shikon babën duke puthur gurët e vjetër", Kadriu nuk mund të vazhdojë dot më gjatë, sepse një ngërç mallëngjimi e zë për fyti. Drejtori ka një histori tjetër. Në vitet ‘70 mes Enver Hoxhës dhe Titos u duk një lloj "armëpushimi", kështu që asokohe u patën lejuar vizitat e ndërsjella, të kontrolluara sidoqoftë, mes Prishtinës dhe Tiranës. Në fund të kësaj periudhe, Mehmet Berisha dhe të tijët kanë pritur një kushëri të afërt të tyrin. Pas do kohe e kanë përcjellë deri në Qafë Morin, në pikën kufitare në afërsi të Kukësit. "Kur shkuam atje - rrëfen drejtori i përlotur - unë isha vetëm ndërsa matanë kufirit jugosllav kishte dalë një grup shumë i madh kushurinjsh. Rojet e kufirit më dhanë leje që të shkoja deri në zonën neutrale, por më thanë që në asnjë mënyrë të mos komunikoja me ta. Kështu që kemi qëndruar për disa minuta thjesht duke u parë e duke qarë pa pasur mundësi të komunikojmë asnjë fjalë. Ishte një gjë që nuk mund ta harroj kurrë. Pastaj kam shkuar që në 1990 e herët e tjera nuk mund t‘i mbaj mend. Tashti shkojmë e vimë me njerëzit tanë, njësoj sikur të jenë në çdo qytet të Shqipërisë…".
Tragjedia e 1999-ës dhe ardhja e kosovarëve është një tjetër temë që del vetiu. Secili prej tre miqve tanë nis të numërojë kushërinjtë, miqtë, hallexhinjtë që lufta i degdisi për disa kohë të mira shumë larg vatrave të tyre. "Edhe vetë jemi befasuar me mikpritjen e njerëzve të këtushëm, jo të gjithë janë kosovarë", tund kokën Kadriu, kryeplaku.
Shkolla e dëshmorëve të fundit
"Ah, përse ky emër? Po ua them unë tashti", na thotë drejtori ndërsa mbyll penxheren nga ku ka nisur të hyjë shiu që vazhdon të bjerë. Një flamur i madh, kuq e zi është lagur fort dhe gati sa nuk është ngjitur pas dritares. "Emri i shkollës ‘Vëllezërit Haradinaj‘ u propozua nga Shoqata ‘Kosova‘ dhe u mbështet nga e gjithë popullsia e zonës. Në Deçan, nga ku janë këta vëllezër dëshmorë, është një shkollë që quhet ‘Vëllezërit Frashëri‘, në nderim të tyre dhe si të kësaj shkolle ne vendosëm ta quajmë shkollën kështu. Për historinë e tyre mund t‘ju flasim shumë gjatë". Në hyrje të shkollës lexojmë historinë e shkurtër të dëshmorëve më të rinj të mundshëm. Luan Haradinaj ishte një nga të parët e UÇK-së, që në vitin 1993, atëherë kur pakkush e dinte ekzistencën e saj. Në 1997, bashkë me të vëllanë, Ramushin, për do kohë edhe Kryeministër i Kosovës, bien në pritën e milicisë serbe. Luani mbetet i vrarë. Ishte vetëm 24 vjeç, kishte dashur të bëhej sportist. Dy vjet më pas, në 1999, një tjetër prej vëllezërve, Shkëlzeni, 29-vjeçar, i martuar me dy fëmijë, bie në fushën e luftimit. Fati tragjik nuk i është ndarë kësaj familjeje. Morti ka trokitur deri vonë. Në 2005-ën, Enver Haradinaj, anëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, 25 vjeç, vëlla i dy të rënëve, mbetet viktimë e një atentati ndërsa kthehej për në shtëpinë e tij. Fotot e tre vëllezërve dhe historitë e tyre na i shpjegon një djalë i vogël që ka dezhurnin e radhës. Jashtë fëmijët nuk rreshtin së luajturi nën shiun që nuk është më edhe aq i imët.
Gati për festën e madhe
"Deri dje i kemi sha ndërkombëtarët. Ishin ata që na ndanë padrejtësisht nga trojet tona. Ishin ata që nuk ia vunë veshin genocidit, ishin ata që u kujtuan vetëm kur masakrat arritën kulmin. Por ani! Tashti duket se e kanë kuptue se ka nji gja që nuk shkonte në Ballkan dhe kjo ishte bash Kosova. Pavarësinë e presim me dekika dhe jo me orë", tre kosovarët e Rrushbullit i hyjnë një diskutimi të gjatë se kur, e si, e qysh, e tek do të shpallet më në fund pavarësia e vendit të të parëve të tyre. Një gjë është e sigurt. Ndër shtëpitë mbi kodrat e buta është bërë gati hareja që kanë pritur gjyshërit dhe baballarët e tyre. "Gati jena me flamuj e me krejt, vetëm të mos na e vonojnë shumë se boll kena pritë", thotë "Baca", më i paduruari nga të tjerët.
Me miqtë tanë dalim një herë në lagjen më të vjetër të fshatit. Kadriu na rrëfen me nge: "Ja këtu fillojnë Popocët. Kjo këtu është shtëpi e vjetër, nga ato që u ndërtuan të parat me tulla, këtu janë Berishët, këndej Gashët dhe Krasniqët…". Një burrë jo fort i vjetër po çan dru. Na përshëndosh sipas mënyrës së vjetër: Si jeni burra! Një palë mustaqe të thinjura mbi fytyrën e tij prej malësori na e shtojnë edhe më atë shijen se këtu vërtet jemi në një pjesë të Kosovës, disi larg por sidoqoftë në një pjesë të saj. Me miqtë ndahemi poshtë, në afërsi të shkollës. Nga dera e hapur e një lokali na vjen melodia e një kënge nga televizori. Hysni Zela këndon për pavarësinë. "Krah për krah me Ahtisarin… Pavarësia…", vijnë vargjet e shkëputura. Ka afruar orari i lajmeve. Duhet t‘i lemë të qetë miqtë tanë të marrin vesh ndonjë gjë më shumë për dheun e të parëve dhe të shohin se si po u afrohet ëndrra e tyre më e vjetër.
Malarja dhe njerëzit që vinin nga malet
Tafil Boletini ishte nipi i të njohurit Isa Boletini. Vetëm rastësisht shpëtoi nga masakrimi i burrave të fisit të tij mbi urën e Podgoricës në 1916. Fati ia deshi që të jetojë deri në 1970, kur vdiq në moshën 82-vjeçare. Kaloi një jetë të koklavitur si këndej edhe matanë kufinjve. Dëshmitar i dorës së parë për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë së kohës, zyrtar i lartë në shumë krahina të vendit, por edhe vetë një nga të nguliturit kosovarë në Fier, ai ka lënë pas një libër me kujtime nga të cilat kemi shkëputur këto radhë:
"… Çdo vend instalimi ka pasë një komision të posaçëm me nënprefektin në krye, dhe anëtarë drejtorin e financave, agronomin, dy anëtarë të jashtëm dhe sekretarin.
Emigranti nga kufini deri në vendin e instalimit transportoheshin me shpenzime shteti. Aty do t‘i sigurohesh banimi e ushqimi me 3 lek në ditë për çdo frymë, përderisa të merrte prodhimin e parë nga toka që do t‘i nepesh. Mjekime, barna e shpenzime spitali ishin po në ngarkim të shtetit. Gjithashtu emigrantit, kur i caktohesh toka, materiali për ngrehjen e shpisë i jepesh nga shteti dhe i transportohesh në vend. Madje, për ndreqjen e shpisë dhe për nji pendë qe i jepeshin edhe 15 napolona.
Për tre vjet emigranti, ndonëse qysh ditën që mrrinte e regjistrohesh në regjistrin e emigrantëve, konsiderohesh shtetas shqiptar, ishte i përjashtuem nga çdo taksë e detyrim tjetër shtetnor. Vetëm mbas tri vjetësh ai, si çdo nënshtetas vendas, gëzonte çdo të drejtë e i përgjigjej çdo detyrimi shtetnor. Në fillim emigrantat instaloheshin në toka djerrë me 2.5 hektar për çdo familje. Ma vonë u vendos të jepej për çdo person gjysëm hektari për sa persona që të formohesh familja.
… Në instalimin e emigrantave ma së shumti na preokuponte problemi për të zgjedhun vende gjoja si ma klimatike. Po jo, kudo që i vendosnim krejt njësoj. Malarja i korrte. Në ditët e para ndodhnin mjaft vdekje. Përderisa u ambientuen disi, të pakta janë ato familje që nuk janë përgjysmue. Bama e kinina nuk u banin dobi. Për shembull në katundin Kamenicë të Divjakës prej 14 shtëpive 4-5 vetë kanë mbetë gjallë. Edhe ata tretën dikah…
Popullit të Myzeqesë, të urtë, të butë dhe bujar, kurdoherë emigrantat iu drejoheshin për ndonji nevojë, si ndihëm ose hua. Kurrë nuk i kthenin pa ua plotsue nevojat. Edhe bagëti përgjysmë ua jepnin edhe nëpër tregje gjetën mushterij e kredi, por edhe emigrantat u qëndronin besnikë klientave. Dhe me ndihmat e shtetit e përkrahjen e popullit, emigrantat mbrenda pak kohe u banë me shpij e me plang, si puntorë të mirë që janë…".
Kosovë, 1919
"… Në Kosovë operacionet i dirigjonte M.Ceroviqi, inspektori i përgjithshëm e fuqiplotë i Jugosllavisë, kriminel lufte, i njoftun e posaçërisht i ngarkuem me këtë mission si anmik i popullit shqiptar. Ky vrau, dogji, plaçkiti bagti e çdo pasuni të tundshme. Katundet Koliq e Keqekollë në Llap i rrafshoi me tokë, ata që shpëtuen gjallë, zdathë e zhdeshë, u shpërndanë kah i panë sytë.
… Mehmet Kojuhi, mbas nji lufte grykë për grykë, i plagosun çau rrethimin, por fas,ilja prej 17-18 frymësh krejt iu përvlue në zjarr. Vetvetiu kuptohet se me çfarë dëshprimi kallxonte i shkreti: ‘Na me vlla Seidin e shokë rrotull shpije, tue u përfytë me gjindarë, gra e fëmijë tentojshin me dalë prej shpije, por gjindarmët me bajoneta i përplasshin në zjarr. Nji djal 5 vjeç në atë rrëmujë u përzije me shkije e u nis drejt nesh tue thirrë: O babë, po na djegin shkijet. I thirrnim hajde këndej, ai sillesh nëpër tym të plumbave e të bombave. Kur e panë, me nji batare e banë shoshë. Po ma mirë se të digjesh në zjarr‘. Kur e thonte këtë skenë të tmerrshme e të shëmtueme, neve na rrënqethesh mishi…".