E Hënë, 2 Nëntor 2026

Titujt e pronësisë, prioritet i bashkisë Kukës, regjistrimi i zonës kadastrale të Shtrazës

Mungesa e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, mbetet shqetësimi kryesor dhe ende i pazgjidhur për pjesën më të madhe të banorëve të Kukësit.

Duke vlerësuar në mënyrë imediate këtë problem, Bashkia e Kukësit, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, janë drejt përfundimit të procesit për regjistrimin dhe pajisjen me titujt e pronësisë të qytetarëve të Gostilit, pjesë e ish-ndërmarrjes bujqësore.

“Fazën e parë e kemi përmbyllur në Gostil. Janë bërë të gjitha afishimet. Njerëzit, banorë të asaj zone, janë shumë të predispozuar dhe të interesuar në kohë për marrjen e certifikatave. Besoj se punë ditësh do të jenë gati për t’u printuar dhe tërhequr nga të gjithë banorët,” tha kryetari i bashkisë, Albert Halilaj.

Për kryetarin e Bashkisë, Halilaj, kërkohet interesim më i madh i qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Pas Gostilit, zona e Shishtavecit mbetet prioritet i bashkisë.

Kryetari Halilaj tha se duhet t’i hapet rrugë investimeve në sektorin e ndërtimit dhe kërkesave të investitorëve, duke përmbushur në fakt edhe detyrimin ndaj qytetarëve për shtrirjen urbane të qytetit.

“Ne kemi menduar një zgjidhje imediate për Kukësin, që Shtraza të futet me prioritet nga ana e bashkisë për ta regjistruar njësoj sikurse Gostili. Edhe për zhvillimin e zonës, Kukësi ka nevojë për banesa, për zhvillim biznesi dhe të tjera,” theksoi ai.

Në këtë zonë ndodhen edhe varrezat e qytetit, sipërfaqja aktuale është ezauruar, ndaj me prioritet është vënë në rrugë të zgjidhjes sipërfaqja shtesë për varrezat publike, së cilës i ka paraprirë regjistrimi i saj.

Pjesë e procesit është edhe “Paketa e Maleve”, nisma e qeverisë që kërkon hapa të tillë dhe që do t’i hapë rrugë zhvillimit të turizmit malor.

Kryetari i bashkisë tha se ka interes për këtë paketë, në të cilën kanë nisur aplikimet nga qytetarë të ndryshëm.

Paralelisht, po punohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës. Prej kohësh ka nisur puna për rrugën e bjeshkëve, një investim që përfshin zonat turistike që shtrihen përgjatë malit të Gjalicës.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›