E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtari mashtrues, në polici. Avokati mbron tezën e pafajësisë

Personi që mendohet t‘i ketë kushtuar njërës prej bankave më të mëdha të Francës një humbje prej 4.9 miliardë eurosh ndodhet më në fund në duar të policisë. Jerome Kerviel po merret në pyetje në lidhje me mashtrimin që mendohet se i ka bërë bankës, që nëse vërtetohet do të konsiderohet pa frikë si mashtrimi më i madh në historinë e bankave i kryer nga një person i vetëm. Tregtari 31-vjeçar nuk është parë më në publik që nga dita kur banka zyrtarizoi dhe publikoi faktin e rëndë, ndërkohë që familjarët e tij dhe avokati mbrojnë versionin e pafajësisë së të riut. Të premten policia kreu një kontroll në apartamentin e francezit në një lagje të Parisit. Hetime e kërkime janë bërë edhe në zyrat qendrore të bankës "Societe Generales". Pas mbërritjes së Kerviel në zyrat e policisë ndaj tij ka nisur marrja në pyetje. Sipas ligjit, një qytetar mund të qëndrojë i ndaluar për 24 orë në rast se ndaj tij nuk do të zyrtarizohet ndonjë akuzë, në rast të kundërt ai duhet të lihet i lirë. Prokurorët francezë po kryejnë hetimet paraprake të bazuara në ankesat e bankës, si dhe ankesat e sy aksionerëve të vegjël të saj. Për sa i përket të ndaluarit, ai merrej me bastet në lidhje me performancën e ardhshme të tregjeve. Edhe pse banka nuk e ka cilësuar djaloshin zyrtarisht si përgjegjësin e humbjes së saj, ajo ka bërë një akuzë ligjore kundër tij. Banka e zbuloi mashtrimin fundjavën e kaluar, por e publikoi disa ditë më pas pikërisht në mesin e trazirave të bursave botërore në fillim të javës që po lëmë pas. E ndërsa hetimet vazhdojnë, si banka, ashtu edhe autoritetet shtetërore vazhdojnë të hamendësojnë se si është e mundur që një person i vetëm të mund të ketë bërë gjithë atë dëm, duke vepruar krejtësisht pa asnjë bashkëpunëtor. Kryeministri i vendit u shpreh se e konsideron thuajse të pamundur një veprim të tillë dhe për më tepër nga një person i vetëm dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›