Karolina e Jugut, vota qe i paraprin "super te martës"
Demokratët e Karolinës së Jugut kanë hedhur dje votën e tyre në një etapë të rëndësishme të garës presidenciale për përcaktimin e kandidatit demokrat. Aktualisht, Barak Obama kryeson në sondazhe ndaj kundërshtares së tij, Hilari Klinton, dhe vazhdon të ketë mbështetjen e madhe të komunitetit zezak të vendit. Pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e madhe, pavarësisht temperaturave nën zero. Për sa u përket pjesëmarrëse, rekordi i votuesve pritet të regjistrohet në jug të vendit ku gjithë zezakët kanë bërë të ditur se do të dalin të votojnë për Obamën. "Unë jam absolutisht i sigurt se do të fitoj dhe kjo do të ndodhë në të gjitha shtetet që kanë mbetur", ka deklaruar Obama në mitingun e fundit zgjedhor. Karolina e Jugut është testi i fundit për betejën gjithnjë e më të ashpër mes Klintonit dhe Obamës për vendin e përfaqësuesit të demokratëve në zgjedhjet e nëntorit. Pas dy humbjeve rresht në Nju Hampshire dhe Nevada, Obama kërkon medoemos fitore nëse do të shpresojë në "super të martën" e 5 shkurtit ku do të votohet njëherazi në 22 shtete. Javën që shkoi pati shumë përplasje mes Obamës dhe Klintonit, ato ishin të mëdha për shkak të acarimit të situatës, madje u kalua edhe në fyerje e sharje personale. Kandidati tjetër në zgjedhjet e Karolinës së Jugut është senatori Xhon Eduards, i cili duke përfituar nga figura jo e mirë që bënë dy rivalët e tij ka nxjerrë së fundi një reklamë ku tregon se ai në fakt është "personi më i rritur" nga kundërshtarët e tij, duke qenë se kurrë dhe për asnjë arsye nuk do të sillej si ata. Sipas një sondazhi të fundit të disa agjencive, sondazh i publikuar të shtunën, Barak Obama është personi i cili kryeson ndaj kundërshtares së tij, Klinton në garën elektorale deri më tani. Kryesimi i Obamës, i cili në rast se do të zgjidhet President do të jetë i pari me ngjyrë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetet nga të gjithë zezakët e vendit. Të dy kandidatët nuk janë përqendruar shumë në fushatën e Karolinës së Jugut, duke qenë se u duhet që të përqendrojnë forcat e tyre te shtetet të cilat përbëjnë edhe votim më të rëndësishëm për ta atë të 22 shteteve të së martës 5 shkurt. Ndërsa Hilari nuk ka qenë në këtë shtet në momentin e votimeve, Obama dhe Eduarts kanë qenë të pranishëm gjatë numërimit të votave.
Të tre kandidatët e kanë portretizuar veten si liderë të fuqishëm dhe të aftë për ta drejtuar amerikanë edhe në këtë fazë kritike për ekonominë e saj. Klinton e ka kritikuar Obamën për mungesën e përvojës dhe ka nënvizuar aftësinë e saj për ta drejtuar Shtëpinë e Bardhë që ditën e parë pa pasur nevojën e një periudhe adoptimi. Por ndërkohë, Obama ka vënë në dyshim integritetin e saj për rastin kur ajo dha votën pro për nisjen e luftës në Irak.