E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi sfida për ekosistemin, ambientalistët thirrje për mbrojtjen e florës dhe faunës së ligatineve

Pikat më të njohura turistike në brigjet e liqenit të Shkodrës, Shiroka dhe Zogaj, po frekuentohen gjithnjë e më shumë nga vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët tërhiqen nga peizazhi natyror, biodiversiteti i pasur dhe oferta karakteristike kulinare e zonës.

Megjithatë, ekspertët e mjedisit vlerësojnë se zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me politika dhe masa të qarta për mbrojtjen e ekosistemit, në mënyrë që ky potencial natyror të ruhet edhe për brezat e ardhshëm.

“Që të keni turizëm të qëndrueshëm është edhe përgjegjësi institucionale, por edhe vetë tur operatorëve apo agjencive që merren me turizmin, që duhet të kenë kujdes me numrin e vizitorëve që vizitojnë apo zhvillojnë aktivitete në liqenin e Shkodrës në mënyrë që të mbrojnë këtë ekosistem”, Aurora Piroviq Biologe , aktiviste mjedisore.

Po ashtu, ekspertët theksojnë se monitorimi i vazhdueshëm i ekosistemit përmes metodave shkencore është një ndër instrumentet më të rëndësishme për identifikimin në kohë të ndikimeve negative dhe minimizimin e dëmeve të mundshme në mjedis.

“Burimet ujore dhe natyrore shpesh herë janë pre edhe kërkesave të vazhdueshme që njerëzit kanë për të plotësuar kërkesat e tyre dhe natyrisht që presioni që u drejtohet këtyre burimeve është është shumë i madh. Pra, nuk mund të flasim për kritere të ruajtjes nëse nuk e dimë se si është gjendja reale tek ekosistemi”, Aurora Dibra, Biologe , pedagoge në Universitetin e Shkodrës.

Në mbështetje të ruajtjes së vlerave natyrore të liqenit të Shkodrës dhe për të frenuar ndikimet negative që mund të sjellë zhvillimi i pakontrolluar i turizmit, prej vitesh veprojnë organizata dhe grupe mjedisore lokale te cilat  ndërmarrin nisma ndërgjegjësuese dhe aksione vullnetare për pastrimin e brigjeve të liqenit.

Gazetar: A.Hoti  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›