E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump: Tarifat ndaj Kinës do të ulen ndjeshëm

UASHINGTON, 23 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA Donald Trump ka sinjalizuar një kthesë të mundshme në luftën e tij tregtare me Kinën mes paqëndrueshmërisë së vazhdueshme të tregut, duke thënë se tarifat e larta për mallrat kineze “do të ulen ndjeshëm, por nuk do të jenë zero”.

Deklarata e Trump, duket se shënon një rënie retorike pas disa javësh qëndrimesh të ashpra dhe hakmarrjesh kokë më kokë që çuan në tarifa ndaj Kinës përtej 145%.

“Tarifa prej 145% është shumë e lartë dhe nuk do të jetë aq e lartë. Do të ulet ndjeshëm. Por nuk do të jetë zero”, tha Trump në Zyrën Ovale.

Trump sinjalizoi dje se ai nuk po kërkon të “luajë në mënyrë të pamëshirshme ” në mosmarrëveshjen tregtare të vazhdueshme me Kinën.

“Ne do të jemi shumë të mirë. Ata do të jenë shumë të mirë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump duke iu referuar Kinës.

“Por, në fund të fundit ata duhet të bëjnë një marrëveshje, sepse përndryshe ata nuk do të jenë në gjendje të merren me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

“Nëse ata nuk bëjnë një marrëveshje, ne do ta vendosim marrëveshjen … dhe do të jetë një marrëveshje e drejtë për të gjithë”, shtoi Trump, duke thënë se pret që procesi të ecë shpejt.

Deklarata e tij erdhi gjatë ceremonisë së betimit të kryetarit të ri të Komisionit të Letrave me Vlerë, Paul Atkins në Zyrën Ovale.

Më herët, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha se Trump beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje tregtare me Kinën.

“E pyeta presidentin për këtë përpara se të dilja këtu. Dhe ai donte që unë të ndaja me të gjithë ju se ne po ecim shumë mirë – në lidhje me një marrëveshje të mundshme tregtare me Kinën”, tha Leavitt në një konferencë për shtyp.

Leavitt tha se administrata Trump po krijonte bazat për një marrëveshje me Kinën dhe vuri në dukje se Uashingtoni kishte marrë gjithashtu 18 propozime tregtare nga vende në mbarë botën. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse Trump kishte folur kohët e fundit me presidentin kinez, Xi Jinping.

Trump tha javën e kaluar, se kishte besim se do të arrinte një “marrëveshje shumë të mirë” me Kinën duke i përshkruar komunikimet e mëparshme me Pekinin si “shumë të mira”.

“Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent sugjeroi gjithashtu shmangien e përshkallëzimit të mosmarrëveshjes me Kinën, duke u thënë investitorëve në një takim me dyer të mbyllura se nivelet aktuale të tarifave ishin të paqëndrueshme”, raportoi dje CNBC, duke cituar një pjesëmarrës në takim.

Në fillim të këtij muaji, Trump përshkallëzoi konfliktin tregtar duke vendosur tarifa të reja ndaj shumë vendeve, por më vonë i pezulloi ato për 90 ditë.

Megjithatë, tarifat speciale deri në 145% mbeten në fuqi për mallrat kineze. Pekini u hakmor me tarifa deri në 125% për produktet amerikane.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›