Ekuilibrat e brishtë të Kuvendit, të mëdhenjve u mungojnë votat
PD dhe PS, së bashku në Parlament kanë 89 vota, të cilat nuk mjaftojnë për të miratuar ndryshimet në Kushtetutën e Republikës, të domosdoshme për reformën e re zgjedhore. Kjo, pasi Kushtetuta kërkon të paktën 94 vota për ta prekur atë dhe për të bërë ndryshimet që kërkohen në Kodin Zgjedhor. Mungesa e këtyre votave ka ngjallur shpresën te partitë e vogla, të cilat prej disa javësh kanë shtuar presionin e tyre ndaj dy partive të mëdha se të vetëm ata nuk arrijnë të miratojnë një Kod Zgjedhor apo më shumë akoma të prekin Kushtetutën, ndaj patjetër duhet të marrin parasysh pretendimet e tyre. Aktualisht të gjitha partitë e vogla parlamentare, të majta dhe të djathta, arrijnë të kenë së bashku 42 deputetë në Kuvend, që as këto nuk mjaftojnë për të bërë ndryshimet e kërkuara. Deri këtu gjërat duket se kanë ngecur dhe kjo në favor të partive të vogla, pasi dy "gjigandëve" të politikës, PD-së dhe PS-së, u duhet të pranojnë disa nga kushtet e minorëve për të realizuar ndryshimet e kërkuara në Kodin Zgjedhor, me qëllim që të realizohen zgjedhje konform standardeve, ashtu siç e kërkojnë kushtet e vëna nga ndërkombëtarët. Por kur duket se loja është në favor të partive të vogla, megjithëse Topi ka mbetur në mesfushë, gjuajtjen finale pritet ta bëjë ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano. Pasi krejt papritur kur të gjithë mendonin se kishte marrë fund, ai hyn në lojë me pesë deputetët e tij, të cilët prej disa muajsh janë larguar nga grupi i PS-së me vendim të Kryesisë së PS-së. Ish-kryetari i PS-së duket se tani është gjilpëra e peshores për realizmin e ndryshimeve në reformës zgjedhore, nga PD-ja dhe PS-ja, pa ndihmën e partive të vogla. Pasi, nëse Nano me mbështetësit e tij vendos të pranojë propozimin e dy partive të mëdha, atëherë numri i deputetëve arrin në 95, të mjaftueshme për të bërë ndryshimet e duhura. Vlen për të theksuar se deri më tani Nano me mbështetësit e tij, të cilët janë Durim Hushi, Durim Lamaj, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Paulin Sterkaj, ende nuk kanë shprehur qëndrimin e tyre publikisht në lidhje me reformën zgjedhore se cilat pretendime mbështesin: të dy partive të mëdha, apo të partive të vogla, të cilat, nga frika se mos dalin nga skena politike, i ka bashkuar të gjitha së bashku. Por nuk duhen harruar si më pak të rëndësishme edhe votat e kreut të LDK-së, Nikoll Lesi, Spartak Ngjelës e Gilman Bakallit, të cilët edhe ata ende nuk kanë deklaruar hapur se në cilin krah janë në këtë lojë politike. PD-ja e PS-ja kanë theksuar se i kanë votat për të arritur ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë për Kodin Zgjedhor, por kanë shtuar se duhet respektuar vullneti i të gjithë aktorëve politikë, pasi ndryshimet duhet të arrihen me konsensus sa më të gjerë. Por në politikë gjërat nuk mund të priten me thikë, sidomos kur bëhet fjalë për vendosmërinë e deputetëve. Me pikëpyetje është edhe qëndrimi i një numri të konsideruar deputetësh, të cilët aktualisht janë të regjistruar në grupin parlamentar të PR-së. Por të gjithë e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se janë zgjedhur deputetë me votat e PD-së dhe nëse largohen prej saj nuk kanë më shanse të jenë më në sallën e Kuvendit. Por loja politike sapo ka nisur, rrjedha e së cilës ka ndryshuar dhe pritet të ndryshojë vazhdimisht. Panorama është e ndarë në dysh: Nëse partitë e mëdha do të gjejnë votat në Kuvend dhe do të miratojnë ndryshimet që kërkohen, duke i nxjerrë jashtë loje partitë e vogla, apo këta të fundit do të fitojnë duke detyruar partitë e mëdha të pranojnë kushtet e tyre.