Vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt heq zyrtarisht mbiemrin e të atit, gjykata miraton kërkesën e Vivienne
Vivienne, vajza e aktorëve të njohur Angelina Jolie dhe Brad Pitt, ka hequr zyrtarisht mbiemrin e të atit. Një gjykatë në Los Angeles ka miratuar kërkesën e 18-vjeçares për të ndryshuar ligjërisht emrin e saj, duke mbajtur vetëm mbiemrin e nënës.

Sipas raportimit ekskluziv të Page Six, vendimi u miratua të hënën, më 2 nëntor. Me këtë ndryshim, emri i saj ligjor është tashmë Vivienne Marceline Jolie, në vend të Vivienne Marcheline Jolie-Pitt.
Avokati i saj, Peter Kenneth Levine, mori pjesë në distancë në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Lartë të Los Angeles, në godinën Stanley Mosk.
Gjatë seancës, gjyqtari njoftoi miratimin e kërkesave për ndryshimin e emrave dhe shpjegoi se dokumentet përkatëse do të mund të tërhiqeshin brenda një jave.
Vivienne e kishte paraqitur kërkesën për ndryshimin e emrit më 20 korrik, vetëm tetë ditë pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të 18-të së bashku me vëllain binjak, Knox.
Në dokumentet gjyqësore të siguruara nga Page Six, e reja kishte përmendur arsye personale për vendimin e saj për të hequr mbiemrin “Pitt”. Megjithatë, ajo kishte përdorur publikisht vetëm mbiemrin Jolie prej më shumë se dy vitesh.
Në maj të vitit 2024, emri i saj u shfaq si “Vivienne Jolie” në programin e shfaqjes teatrale The Outsiders në Broadway, ku ajo kishte bashkëpunuar me të ëmën në rolin e asistentes së prodhimit.
Vivienne nuk është e vetmja nga fëmijët e ish-çiftit që ka vendosur të mos mbajë më mbiemrin e aktorit. Edhe motra e saj, Zahara, 21 vjeçe, ndryshoi zyrtarisht emrin nga Zahara Marley Jolie-Pitt në Zahara Marley Jolie, pasi kërkesa e saj u miratua nga një gjykatë në Los Angeles.
Edhe vëllai i madh, Maddox, 25 vjeç, ka hequr mbiemrin e babait nga emri i tij ligjor. Ndërkohë, Shiloh ishte e para nga gjashtë fëmijët e çiftit që ndërmori këtë hap, duke paraqitur kërkesën për ndryshimin e emrit në maj të vitit 2024, në ditën kur mbushi 18 vjeç. Kërkesa e saj u miratua në gusht të po atij viti.
Sa i përket Knox-it, vëllait binjak të Vivienne, edhe ai ka përdorur një emër pa mbiemrin Pitt në diplomën e shkollës së mesme në fillim të këtij viti. Megjithatë, nuk ka konfirmim se ka paraqitur edhe një kërkesë ligjore për ndryshimin e emrit.
Ndërkohë, Pax, një tjetër nga fëmijët e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, vazhdon të mbajë mbiemrin e aktorit.