“Telefonatë me tensione dhe fyerje”/ Avokati i Veliajt rrëfen përplasjen me Edi Ramën: Mendon se unë e nxita Erionin të bëhej i pavarur prej tij!
Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket se ka marrë një tjetër dimension, duke përfshirë edhe avokatin e këtij të fundit, Plarent Ndreca.

I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ish-deputeti socialist ka zbuluar një telefonatë të tensionuar me kryeministrin Edi Rama, të zhvilluar pikërisht gjatë ditës së sotme, e cila, sipas tij, ka degraduar deri në fyerje të rënda.
Ndreca deklaroi se Rama e konsideron atë përgjegjës për nxitjen e pavarësisë politike të Erion Veliajt nga kryeministri, duke e akuzuar se ka ndikuar në distancimin e kryebashkiakut nga kreu i qeverisë.
“Unë, në një komunikim me kryeministrin, edhe sot me telefonatë, ishte e mbushur me tension dhe me fyerje. Më telefonoi Rama për këtë shkak. Se mendon që unë jam nxitësi i pavarësisë së Erionit nga Rama.
Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësi për mua si këshilltar politik, në kuptimin që e kam nxitur pavarësinë e Veliajt nga Rama. Në fakt, unë nuk jam këshilltari i vetëm ligjor i Veliajt, është një grup i madh”, tha Ndreca.