Veshje që ruajnë mjedisin, sfilata e veçantë e nxënësve të shkollës “Jusuf Puka” në Durrës

Një sfilatë origjinale me materiale të riciklueshme u zhvillua nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka” në Durrës, duke dhënë mesazhin e një mjedisi të pastër.
Sfilata pjesë e aktivitetit me temë “Unë ricikloj”, një nismë mjedisore që synon të motivojë komunitetin, bëri bashkë nxënësit, mësues e prindër për një mjedis më të qëndrueshëm dhe me më pak mbeturina.
Drejtuesit e shkollës shpjeguan se synimi i këtij aktiviteti është që të ofrojë një program edukativ për riciklimin, ku vetë nxënësit të jenë pjesëmarrës aktivë.
“Tematika e riciklimit është një çështje shumë aktuale ndaj secilës të gjithë duhet të jemi të ndjeshëm. Nëpërmjet këtij aktiviteti duam të përcjellim mesazhin për ruajtjen e mjedisit”, u shpreh drejtoresha e Shkollës Blerta Maliqati.
Mësues dhe nxënës të klasave nga e para deri në të nëntën ofruan modele konkrete të punimeve të tyre me materiale të riciklueshme, të paraqitura si një ekspozitë e hapur. Shumë prej tyre interpretuan edhe këngë dhe valle tradicionale.
/rtsh.al/