Vizita në Tiranë, Krichbaum: Gjermania, mike e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Gunther Krichbaum, zhvilloi një vizitë intensive takimesh politike në Tiranë. Fokusi kryesor i bisedimeve ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë te fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar.
Zyrtari i lartë gjerman zhvilloi takime me të gjithë spektrin politik dhe institucional, duke nisur nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni dhe zv.Ministrja e Jashtme Megi Fino.
Agjenda e tij përfshiu gjithashtu një dimension parlamentar dhe bipartizan, ku u takua me bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe me kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Një ndalesë e rëndësishme ishte edhe takimi me përfaqësues të drejtësisë së re, konkretisht me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho.
Në përfundim të vizitës, përmes një njoftimi të shpërndarë nga Ambasada Gjermane, Krichbaum dha mesazhe të qarta për klasën politike shqiptare, duke e cilësuar këtë si një “moment vendimtar”.
“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian, jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së,” deklaroi Krichbaum.
Ai vlerësoi potencialin dhe përpjekjet për reforma, por përmendi edhe sfidat. Sipas ministrit gjerman, rruga drejt BE-së kërkon jo vetëm reforma në letër, por zbatim të vendosur, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
“Lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese,” përfundoi ai.
/rtsh.al/