E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, merr flakë anija, dëmtohen 3 marinarë

Durrës- Tre pjesëtarë të ekuipazhit të anijes “Evangelis G”, që u përfshi nga flakët sot në portin e Durrësit kanë mbetur të dëmtuar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij qyteti, mësohet se ekuipazhi kishte gjithsej 10 persona, të gjithë shqiptarë. “Anija u përfshi nga nga flakët sot në një distancë prej 8 milje në veri të Kepit të Selitës”- thanë burimet policore.

Aktualisht mjetet lundruese të policisë kufitare detare po transportojnë drejt portit të Durrësit tre marinarët e dëmtuar. Ata kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa njëri mësohet se është më rëndë. Marinarët e dëmtuar janë: Bujar Bejko, 41 vjeç; Alban Lika, 36 vjeç; Nexhmi Vora, 51 vjeç. Ndërsa emrat e tjere të ekuipazhit sipas policisë janë:  

Lulzim Nuhu, kapiten

Lulzim Bashari

Llukman Bilali

Ilir Marianaku

Altin Kukaj

Haki Sheqi

Marsel Xharo

Anija "Evangjelis. G", me flamur panamez me tonazh 3041 tonë mori flakë rreth 8 milje në veri të Kepit të Selitës. Ajo ishte nisur rreth orës 11:00 të ditës së sotme nga porti i Durrësit drejt Vlorës.

Për shpëtimin e çisternës me flamur panamez u vunë në dispozcion mjetet lundruese të policisë së kufirit detar dhe bërthamës së Guardia Di Finanza,

Për fat anija nuk ishte e ngarkuar me karburant, pasi e kishte shkarkuar atë në portin e Durrësit. Mësohet se anija kishte mbërritur nga Greqia në Durrës në 4 korrik. Ajo kishte shkarkuar në portin e Durrësit 1226 tonë benzinë dhe sot ishte nisur drejt portit të Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›