Vokshi: Mungesa e barna të skaduar në QSUT, shëndetësia e nënfinancuar

Deputetja demokrate Albana Vokshi ngriti shqetësimin e situatës së shëndetësisë në vend duke thënë se QSUT po përballet me mungesë medikamentesh e barna të skaduar.
“Pacientët jo vetëm nuk arrijnë të marrin shëndetësi falas, por nuk marrin as shërbim shëndetësor në pjesën më të madhe. Sektori i Shëndetësisë është i nënfinancuar, dhe ai buxhet shkon kryesisht në 4 koncesionet e panevojshme, abuzive e korruptivë që në total shkojnë rreth 450 mln euro”, u shpreh Vokshi në një deklaratë për mediat.
“E kanë pranuar pa u skuqur pa u zverdhur pa asnjë ndjesi njerëzore mungesën e medikamenteve: Irinotecan, Erlotinib është në mungesë. Ka qenë donacion, por nuk ka më në gjendje! Nuk bëhet tenderi se duhet bërë pazari që të bëhet tenderi. Pacientëve ju është dhënë dozë e reduktuar cdo 10 ditë. Gencitabina është në mungesë, jodi është më mungesë që nga janari. Kush është përgjegjës për mungesat?”, tha zonja Vokshi.
Ajo shtroi pyetjet për ministren e Shëndetësisë dhe drejtueses të QSUT: A ka sasi të skaduara në QSUT të medikamentit FEIBA? Ku ndodhet momentalisht sasia prej 1137 flakonë të medikamentit FEIBA me datë skadence 31 dhjetor 2023? A është futur kjo sasi FEIBA e skaduar në farmacinë e pediatrisë ndërkohë që sistemi SISP nuk e lejon?
“Përgjegjësit për këtë situatë në shëndetësi janë Edi Rama, ministrat e Shëndetësisë ndër vite (Beqaj, Manastirliu dhe Koçiu) si dhe drejtuesit e QSUT ndër vite. Duhet të ndryshojmë situatën në shëndetësi në mënyrë që qytetarëve t’u respektohet e drejta kushtetuese për një shërbim shëndetësor të denjë. Duhet të reagojmë, të marrim fatin tonë në duar, për të mbrojtur shëndetin! Për të mbrojtur jetën”, deklaroi Deputetja demokrate Albana Vokshi.
/ rtsh.al /